Tartufi, “Pazaret” me thesarin e pyjeve tona. –
Tartufi, “Pazaret” me thesarin e pyjeve tona. –
Të maskuar si gjuetarë shpendësh, të huajt vjedhin produktin me vlerë 10 mijë euro/kg
Në rrënjët e pyjeve shqiptare gjendet një thesar i vërtetë që ka çmim të përafërt me arin. Zhardhoku i një kërpudhe të ngrënshme që rritet në rrënjët e lisit, pishës, blirit dhe shelgut të egër, i njohur ndryshe me emërtimin tartuf, gjendet në sasi të mëdha në pyjet mesdhetare të vendit tonë. Por kjo lloj kërpudhe kaq me vlerë, çmimi i së cilës arrin nga 300 deri në mbi 10 mijë euro për kilogram, po grabitet masivisht nga pyjet tona para syve tanë, në pamundësi për të ndaluar një masakër të tillë. Mungesa e kuadrit ligjor, për kërkimin, vjeljen dhe tregtimin e kësaj kërpudhe brenda apo jashtë vendit, u ka dhënë mundësinë individëve të ndryshëm, si shqiptarë ashtu edhe të huaj, që të abuzojnë masivisht me këtë pasuri kombëtare. Burime nga Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave në Fier bëjnë me dije se zhardhoku i tartufit është një specie në mbrojtje, për shkak se rrezikon të zhduket. Mësohet se për mbledhjen e këtij lloji zhardhoku nevojitet një projekt i hartuar nga specialistë të mjedisit dhe pyjeve, me qëllim që të shmanget dëmtimi i species në fjalë. “Vetëm pas miratimit të projekteve mund të kryhet mbledhja e kësaj specie të rrallë”, pohojnë burime nga Drejtoria e Pyjeve.
Ata sqarojnë njëkohësisht se në Komunën Seman të Rrethit të Fierit është dërguar një projekt për kërkimin e tartufit në pyjet me pisha pranë bregdetit, i cili ka hasur probleme me individët që e mbledhin këtë kërpudhë në mënyrë të paligjshme. I pyetur në linjë telefonike, inxhinieri i pyjeve pranë Komunës Seman, Genci Pine, pohoi për gazetën “Shqip” se prej disa vitesh kanë hartuar një projekt për menaxhimin e mbledhjes së tartufit në pyjet me pisha të zonës bregdetare të kësaj njësie vendore. “Për shkak se kishim konstatuar individë abuzivë, të cilët gjatë muajve të pranverës vinin për të mbledhur tartuf dhe pas studimeve që kryem, vërejtëm se në pyjet me pisha të bregdetit të Semanit gjendeshin sasi të mëdha të kësaj kërpudhe. Shpeshherë jemi hasur me personat që e mbledhin tartufin në mënyrë të jashtëligjshme dhe ka qenë ndërhyrja e policisë komunale që ka mundësuar largimin e tyre, duke mbrojtur kështu këtë specie të rrallë. Pak vite më parë ne hartuam një projekt për shfrytëzimin e kësaj specieje në bazë të kuadrit aktual ligjor”, shpjegoi Pine. Ai shtoi se gjatë viteve të fundit policia komunale dhe inspektorët e pyjeve kanë larguar prej pyjeve me dhjetëra individë, si shqiptarë dhe të huaj, që shkonin aty për të mbledhur tartuf në mënyrë të jashtëligjshme. Madje ai shtoi se vitin e kaluar kanë arritur të kapin dy “gjuetarë” të jashtëligjshëm, të cilët janë gjobitur. Mësohet se një prej të gjobiturve ishte banor i qytetit të Durrësit, ndërsa tjetri shtetas italian. Më tej, inxhinieri i pyjeve pohoi se shfrytëzimi i pyjeve për mbledhjen e tartufit duhet të kryhet në bazë të procedurave ligjore. Pine thekson se mbledhja e tartufit pa një studim të mirëfilltë e pa kriter nga persona të palicencuar, do të sillte zhdukjen e kësaj specieje brenda një afati të shkurtër kohor. Tartufi është një kërpudhë në formë zhardhoku, e cila rritet në pyjet mesdhetare. Për shkak se kultivimi i kësaj specieje nuk ka arritur të imitojë asnjë prej cilësive të saj në gjendje të egër, e ka rritur tej mase çmimin në treg. Madje, tregtimi i tartufit kryhet edhe në bursë, ku çmimet fillestare nisin nga 300 euro deri në mbi 100 mijë euro, kur ai përbëhet nga shumë “karat”. Mungesa e ligjeve që përcaktojnë me saktësi mbledhjen dhe tregtimin e kësaj specieje në mbrojtje ka bërë që shteti shqiptar të humbasë miliona euro në vit, të cilat po vidhen nga “gjuetarë” abuzivë, si vendas ashtu edhe të huaj.
“Ilegalisht” nga Porti i Vlorës në Itali
Grabitja e tartufit nga pyjet shqiptare po kryhet në mënyrë masive prej disa vitesh. Burime nga Porti i Vlorës tregojnë për gazetën se është mësuar që gjatë pranverës, mbërrijnë në Shqipëri prej Italisë dhjetëra gjuetarë çdo vit. Sipas tyre, mësohet se pjesa më e madhe e gjuetarëve që vijnë nga shtetet përtej kufijve tanë, gjatë kësaj periudhe të vitit dyshohet të jenë kërkues të tartufit, vjedhja e të cilit do t’u siguronte atyre përfitime të mëdha. Kjo, pasi janë konstatuar edhe transportime të zhardhokëve të ngjashëm me pataten drejt Italisë, për të cilat nuk është se ka një kuadër të përcaktuar ligjor që e ndalon kalimin jashtë kufijve. Ndërkaq, thuhet se në mjaft pyje të Jugut të vendit, në ato të Tepelenës, Përmetit dhe të maleve që ndodhen në Rrethin e Vlorës, gjatë periudhës së pranverës vërehen gjuetarë të huaj, të cilët nuk rendin pas shpendëve apo kafshëve të egra, por që gërmojnë tokën në rrëzët e pemëve. Për gjetjen e tartufit, të ashtuquajturve gjuetarë u nevojiten edhe qentë e stërvitur mirë, që janë edhe maskimi i tyre më i mirë.
Çfarë është kërpudha “magjike”?
Tartufi është një lloj kërpudhe që rritet në rrënjët e lisit, blirit, pishës dhe shelgut të egër. Zakonisht ai rritet në tokë ranore dhe nuk ka as rrënjë, as gjedhe, as degë. Kjo specie është në formën e zhardhokut dhe e merr ushqimin nga rrënjët e bimëve të tjera. Ai thith prej rrënjëve kripëra minerale, të cilat janë pikërisht ato që e bëjnë kaq të kërkuar dhe të çmuar këtë specie të rrallë. Në natyrë gjenden disa lloje tartufë. I ziu është ai që haset më shpesh dhe që arrin një vlerë deri në 350 euro për kilogramë. Ndërsa janë edhe tartufët e bardhë që ngjajnë me zhardhokët e patates, por me formacion më të çrregullt, të cilët çmohen më shumë, për shkak të vlerave ushqyese dhe shijeve që mbartin. E veçanta e këtyre kërpudhave është se aroma e tyre varet nga bima në të cilën ritet. Tartufi më i shtrenjtë rritet në rrënjët e lisit dhe merr aromën e kësaj peme. Zhardhoku i tartufit e merr formën nga formacioni i terrenit dhe nga rrënjët e bimëve në të cilat paraziton. Ndërkohë që sa më i madh të jetë zhardhoku i tartufit aq më shumë vlerësohet e për këtë arsye i rritet edhe çmimi.