Taulant Balla në SPAK? – Ministri i Brendshëm në organin e akuzës, ja akuzat për dosjen “Toyota Yaris” dhe çfarë kanë zbuluar shërbimet belge për të
5 Prill 2024
Zyrtarë të lartë socialistë, disa prej tyre bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Rama, disa prej të cilëve ndër më të afërtit në vite, janë rreshtuar së fundmi një nga një në dyert e Prokurorisë së Posaçme.
I fundit ishte ministri i Brendshëm Taulant Balla. Ai ka qëndruar prej më shumë se 1 orë brenda SPAK. Pas daljes nga godina e drejtësisë së re, Balla e “kyçi” gojën ndryshe nga herët e tjera. Ministri i Brendshëm nuk lë gjë pa promovuar, ashtu siç tregoi për mediat vitin e kaluar kur e thirrën në SPAK për të dhënë dëshminë e tij pas denoncimit për aferën e Klubit Partizani. Mesa duket prokurorët specialë i kanë ngrirë buzëqeshjen.
Për çfarë mund të jetë thirrur Taulant Balla në SPAK. Problemet e tij me drejtësinë janë të hapura dhe dosja që e ka mbajtur dhe vazhdon ta përndjekë prej kohësh është ajo e aferës “Toyota Yaris”, e cila po hetohet nga belgët. Janë pyetur shumë dëshmitarë dhe shkëmbyer letër-porosi mes SPAK dhe Belgjikës pikërisht për këtë çështje, por edhe për grupe të tjera kriminale të lidhura me politikën.
Belgët madje kanë zbarkuar edhe në Shqipëri për të hetuar nga afër situatën. Për të avancuar hetimet, prokurorët thirrën edhe gazetarin Artan Hoxha në vitin 2022 në Belgjikë. Këto fakte i konfirmoi dhe denoncuesi i kësaj dosjeje nga Lulzim Basha, i cili ka thënë disa kohë më parë se “jam njeriu më infomuar pas Ramës. Unë di më shumë se kaq. Nuk flas dot më shumë sepse dosja Toyota Yaris është në hetim. Po hetohen edhe anëtarët e mazhorancës.” Akuza ka patur nga opozita gjithë këto vite, ku sipas tyre Balla do merrte pjesën e tij në këto para dhe një pjesë tjetër do shkonte te policia.
Çfarë është dosja Toyota Yaris?
Socialistët ishin duke qeshur me Lulzim Bashën, kur ky iu drejtua Taulant Ballës duke e treguar me gisht.
“Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë (duke treguar me gisht nga Balla, që po qeshte bashke me kryeministrin Edi Rama) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt”, tha Basha në vitin 2018. Tre ditë pas fjalëve të Bashës, në Durrës u kapën dy makina Toyota Yaris me disa miliona euro brenda tyre. Ishte e qartë se bëhej fjalë për paralajmërimin që kishte bërë Lulzim Basha në parlament. 3 persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i komapnisë që transportoi makinat. Fillimisht u tha në media se ishin 5 milion euro, pastaj zyrtarisht policia njoftoi për gjetjen e 3.4 milion eurove.
Balla në vështirësi
Të nesërmen e kapjes së parave në Durrës, policia tha se e kishte marrë informacionin nga një agjensi vendase, disa orë pasi Lulzim Basha kishte folur në parlament. Në njoftim u la të kuptohej se informacioni kishte ardhur nga SHISH. “Ditën e enjte, 21 Qershor 2018, në mesditë, gjatë punimeve të Parlamentit në sallën e Kuvendit, është bërë publik fakti lidhur me një automjet tip “Toyota Yaris” me 1.5 milion euro, të zbuluar në Gjermani.
Po atë ditë, të enjten e kaluar, datë 21 Qershor 2018, një agjenci ligj zbatuese shqiptare në orën 17:00, ka njoftuar Policinë e Shtetit lidhur me një informacion për një ngarkesë me trajler që do të sillte disa mjete tip ‘Toyota’, e cila pritej të vinte nga Gjermania, e mes tyre një mjet me sasi eurosh të padeklaruara” thuhej në njofimin e policisë. Pas kapjes së Toyota Yaris në Durrës, Taulant Balla u gjend në vështirësi.
Fillimisht njoftoi një konferencë për mediat, pastaj e anuloi atë duke bërë një reagim në Facebook. “O Babale! Mjere kush te beson ty akoma dhe taksirati yne qe kemi perballe nje opozite qe e ktheve ne teater babalesh! Je kaq i mbaruar o Babale sa tani nuk ke me kellqe as te shtrengosh llastikun e brekusheve te rrenave, qe te bien perdite ne sy te miletit dhe ti hic s’do me dit, po vazhdon si budallai i fshatit… Hajde Babale hajde, fli gjume tani fli se per sot e dhe shfaqjen e rënies se brekusheve,” shkruajti Balla. Çështja u thellua më tej pasi kryetari i PD Lulzim Basha dha dëshminë e tij për rreth 90 minuta nga prokurorët belgë në lidhje me dosjen e “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro. Pas daljes nga prokuroria e Krimeve të Rënda, Basha tha se kishte dhënë akoma më shumë informacion se sa kishte deklaruar në publik. “Dhashë sot informacione të plota për Toyota Yaris edhe më shumë se kam dhënë në publik. Taulant Balla duhet të ishte sot në pranga. Qeveria e Edi Ramës janë kthyer në shërbim të pastrimit të parave të drogës. Sot gjithçka po bëhet për pastrimin e parave të drogës. Dëshmia është dhe do të mbetet në kuadër të rregullave. Dhashë informacione të plota mbi çështjen duke i qëndruar asaj që kam dhënë në publik”, tha Basha.
Nga Gazeta Sot