Taxhi (Mbulesa e kokes) i Ali Pashë Tepelenës në Muzeun Historik Kombëtar, Tirane.

8 shtator 2019

Dr. Dorian Koçi

Gjatë punës kërkimore dhe shkencore për studimin e hulumtimin e objekteve që janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar kemi mundur të evidentojmë objektin taxhi i Ali Pashë Tepelenës me numër inventari 339. Sipas kartelës së objektit rezulton se taxhi i Ali Pashë Tepelenës ka hyrë në fondin e Muzeut Historik Kombëtar në vitin 1981. Origjina e objektit muzeal të identifikuar si taxhi i Ali pashë Tepelenës shënohet në kartë si i ardhur nga ish muzeu i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Ai ka një lartësi 18.5 cm dhe diametër 20 cm. Nuk dihet qartë se përse ky objekt ka qenë në fondet e e ish muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, kur në fakt i përket periudhës së Pashallëqeve shqiptare.  Objekti paraqitet tepër i dëmtuar dhe ende nuk kemi rënë në gjurmë se si ky objekt është përfituar dhe ka hyrë në fondet e ish muzeut të Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Si objekt ai mbetet i veçantë sepse është i vetmi që mendohet se i përket Ali Pashë Tepelenës në territoret shqiptare pasi në disa muzeume në botë si p.sh në Muzeun Benaki në Athinë ka objekte personale të tij si ore xhepi apo dhe disa armë të dekoruara me ar. Për më tepër Prof Moikom Zeqo e përmend në librin Syri i Tretë i Bektashizmit por nuk e analizon më gjerësisht. Po a ishte taxhi njëveshje karakteristike për Ali Pashë Tepelenën?

Pjesa më e madhe eportreteve që pasyrojnë Ali Pashë Tepelenën e paraqesin të veshur me një kapë në kokë që duket se është një taxh bektashian. Kështu në portretin e tij shumë të njohur nga Joseph Cartëright (1789-1829), pikturuar në mars 1819 dhe publikuar në 1822 (CARTËRIGHT, Joseph. [Eleven colored costume plates of northwestern Greece, including a portrait of Ali Pasha], London, R. Havell, 1822) pasqyrohet i veshur me taxh bektashian. Sipas përshkrimit të Joseph Cartëright veziri i Janinës mbante në kokë një taxh ngjyrë jeshile të stolisur me shirita të florinjtë.[1]Disa nga studiuesit e hershëm të Bektashizmit e kanë identifikuar Ali Pashë Tepelenën si një nga kontribuesit më të mëdhenj të themelimit të teqeve bektashiane në territoret e Pashallëkut të tij e për rrjedhojë kapën që i mbulonte kokën e kanë konsideruar si taxh bektashian.

Po kështu studiuesja e njohur britanike e bektashizmit Hasluck ka njohur një taxh bektashian në gurin e varrit të tij sipas një gravure të hershme. Taxhi bektashian është një nga elementët e veshjes bektashinjve që nga grada e tretë e besimit që identifikohet me dervishët. Kurora (taxh).- është një kapuç i përbërë prej dymbëdhjetë pjesëve në pjesën e sipërme dhe katër pjesëve të bardha në pjesën e poshtme. Pjesët e sipërme quhen terk dhe i simbolizojnë dymbëdhjetë imamët. Katër pjesët e poshtme quhen dyer dhe simbolizojnë katër dyert (sheri atin, tarikatin, ma’rifetin,hakikatin). Kjo kurorë emërtohet si “Husejni taxh”. Në pjesën e sipërme ku bashkohen dymbëdhjetë copat vendohet një copë e vogël që quhet “vulë” “ose “trëndafil” (gjyl). Në kurorën e dervishëve mbi këto katër pjesë vehet edhe një pëlhurë e gjelbërt e cila rrotullohet dymbëdhjetë herë.[2]Me të njejtin taxh Ali Pasha Tepelena paraqitet edhe në pikturën e vajit të Jacob Ritter von Hartmann, më 1822. Piktura aktualisht ruhet në Muzeun Metropolitan të Neë Jorkut[3], si dhe në tablonë e njohur tëLouis Dypre “Ali Pasha duke duke gjuajtur në liqen” e vitit 1825. Në të tre këto tablo që janë me ngjyra, taxhi është pikturuar në ngjyrë jeshile që dallohet me sy të lehtë në tablonë e Cartëright, kurse në të dy të tjerat është më një ngjyrë të mbyllur jo lehtësisht të identifikueshme.