Të barazosh viktimizues e të viktimizuar? – Vëllezërit në Hagë po i dënon pikërisht propaganda e kësaj mendësie
Samiti i rradhës i Ballkanit të Hapur, që u mbajt në Ohër këtë javë, rezultoi edhe në nënshkrimin e katër memorandumeve të tjera të bashkëpunit mes tre shteteve që janë pjesë e tij.
Pasi kontributi i memorandumeve të nënshkruara më herët nuk është ndjerë fort në rritjen ekonomike të pretenduar të vendit, pak shqiptarë morën mundimin të kuptonin se për çfarë tjetër u ra dakord, në princip, me mikun ballkanas të Putinit.
Më fort do ketë bërë përshtypje qëndrimi politik i kryeministrit të ri të Malit të Zi, i cili nuk pranoi të ridemensionte pikësynimin final për anëtarësim në BE në bazë nismash rajonale dhe mbajti rolin e vëzhguesit si fqinj i mirë.
Në krahasim me memorandumet e trumpetuara, me siguri, do ngelë më gjatë në mendje kafja te dera e Ballkanit të Hapur. Fort të hidhur do e ketë pasur shijen kur përkonte me shtyrjen e mbylljes pas hekurave të prijësve të UÇK-së.
Por asgjë s’do ketë çuditur e çoroditur si deklaratat që barazojnë viktimizues e të viktimizuar. Nuk u mor parasysh se vëllezërit që u vizituan me kamera e bujë në Hagë po i gjykon, e ndoshta dënon, pikërisht propaganda e kësaj mendësie.
Por përtej prurjeve dhe suksesit të diskutueshëm, samiti zhurmëshumë i Ballkanit të Hapur e pengoi kryeministrin Rama të merrte pjesë në një tjetër event që u zhvillua në Tiranë atë ditë. Me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe ShBA-së, ambasadorja Yuri Kim ftoi në rezidencën “Rayerson” ministrat e jashtëm të Shqipërisë që nga viti ’91.
Si dikush që ka mbajtur këtë post kur Gent Cakaj nuk pat dekretuar, z. Rama duhet të ketë qenë në listën e të ftuarve. E ndonëse rezidenca dhe ambasada e ShBA në Shqipëri mund të jetë gjithnjë me kanatet e hapura për të (si Ballkani), do kishte qenë shumë e përshtatshme që ai të ishte pjesë asaj tryeze.
Ashtu siç ishte presidenti në ikje që deklaratat dhe kundërdeklaratat me zonjën ambasadore nuk i ka pasur gjithnjë me tone të ulta e ku nuk kanë munguar vetë-identifikimet për budallenj.
Siç ishte ish-kryetari i përdorur dhe pendërënë i opozitës. Siç ishin shumë politikanë e diplomatë karriere të këtyre dekadave që ditën të ulen në një tavolinë miqësore urimi, përtej politikës.
Do doja të ishte kryeministri i Shqipërisë, ashtu rastësishëm, po si i takon, në darkë me përfaqësinë e aleatit strategjik të vendit tonë, në vend që ta kalonte darkën me përfaqësuesin e ithtarin e Rusisë putiniste në Ballkan.
Do doja të ishte aty që shqiptarët ta besonin se i dhimbsen vërtet ukrainasit dhe afganët. Që të parët nuk i kujtohen dhe i ka për justifikim kur rriten përtej arsyes çmimet e ushqimeve dhe naftës, ndërsa të dytët i bien ndërmend kur merr çmim ndërkombëtar.
Do doja të ishte aty kur vlerësohet diplomacia e marrëdhëniet e mira, përtej mosdakordësive. Të mos trokiste në dyer amerikane vetëm për një tjetër president nga rradhët e forcave ushtarake.
Të ishte aty që të na bindë se Amerikës i referohet edhe në qasje demokratike, jo vetëm për të theksuar shpalljen non grata të kufomave politike. Të ishte aty ta kuptonim nga e ka drejtuar timonin, që po e mban i vetëm si askush tash sa vjet.
Drejt cilës hapje të mirëfilltë e ka marrë rrugën.
Gazeta Dita