“Të bëhemi gati për zgjedhjet lokale”. Aldo Bumçi nga Kuvendi Kombëtar: – ODIHR e pranoi që kishte vjedhje vote. – Ja tre hapat që duhet të ndërmarrë PD pas masakrës zgjedhore
“Të bëhemi gati për zgjedhjet lokale”. Aldo Bumçi nga Kuvendi Kombëtar:
– ODIHR e pranoi që kishte vjedhje vote. – Ja tre hapat që duhet të ndërmarrë PD pas masakrës zgjedhore
17 korrik 2021
Ish-ministri i jashtëm Aldo Bumçi, nga foltorja e Kuvendit Kombëtar të PD-së u shpreh se humbja ka pasur shumë arsye, por kryesorja ishte blerja e votës, që sipas tij thuhet dhe në raportin e ODIHR-it.
Por pavarësisht kësaj, Bumçi thotë se PD duhet të fokusohet në të ardhmen dhe hapat që duhet të marrë pas masakrës zgjedhore të 25 prillit.
Sipas tij, fokusi kryesor duhet të jetë fitorja në zgjedhjet e ardhshme lokale.
“E treta, të fillojmë punën që nesër për zgjedhjet lokale. Nuk është sfida jonë pas 4 vjetësh. Sfida jonë janë zgjedhjet lokale. Nëse vendos Gjykata Kushtetuese zgjedhjet janë nesër. Në pranverën e vitit tjetër mund të kemi zgjedhje lokale. A jemi gati? Por dhe nëse nuk janë në pranverë, do të jenë pas një viti e gjysëm. Ne duhet të mendojmë që koha jonë politike nuk është 4 vjet, është një vit e gjysëm deri në zgjedhjet lokale. Kjo është koha jonë politike që na është dhënë. Duhet të jemi mirënjohës. Ta bëjmë betejën, të fitojmë, do fitojmë zgjedhjet lokale, por duhet tia bëjmë ysmetin, dhe pastaj krijojmë shpresë për 2025, apo kurdo qofshin zgjedhjet politike. Kemi zgjedhjet lokale si test” – tha Bumçi.
Gjithashtu një tjetër fokus sipas Bumçit duhet të jetë dhe çmontimi i partisë shtet me të gjitha mënyrat e mundshme.
Fjalimi i plotë i Aldo Bumçit:
Do të donim të ishim takuar në një situatë tjetër. Shpresuam dhe besuam se do të fitonim. Nuk fituam. Arsyet e humbjes janë përherë të shumta, nuk ka vetëm një. Por në këtë rast mund të themi që ka një arsye kardinale, madhore, dhe atë e thotë raporti i ODIHR: pati blerje masive të votës, por më e rëndë se blerja masive e votës ishte përdorimi i shtetit. E ka thënë ODIHR në një fjali.
Po të kishtë bërë Edi Rama zgjedhjet që bëri Sali Berisha në 2013, kjo opozitë sot do të ishte në qeveri. Po të kishte bërë Edi Rama zgjedhjet sic i bëri Fatos Nano në 2005, ne sot do të ishim në qeveri. Por ne nuk e ndryshojmë dot Edi Ramën dhe do jetë i njëjti në zgjedhjet e tjera. Dëshpërimi nuk është zgjidhje. Cfare duhet të bëjmë? Asgjë ndryshe nga ajo që ka bërë kjo forcë politike pas zgjedhjeve të 2001. Është territor i shkelur.
Tre gjëra: E para, themi ka masakër zgjedhore, dhe është e vërtetë. Atëherë do të shkojmë në një tjetër masakër zgjedhore të partisë-shtet, që përdor policin, INUK-un, tatimorin, kriminelin? Do shkojmë përsëri në zgjedhje me këtë parti-shtet?
Ne duhet të marrrim korrigjime politike, siç i mori PD pas 2001, e mbani mend. Partia-shtet ka emra, institucione, ligje. Pra do të shkojmë me të njëjtën polici që tha në Elbasan nuk ka ndodhur gjë?, që tha Klodian Rasha u vra në përleshje?!, që ka rritje të kanabizimit sa herë ka zgjedhje! Me këtë polici nuk mund të shkojmë në zgjedhje. Do të shkojmë në zgjedhje me patronazhistë që e rrethojnë votuesin dhe I dinë cdo hall, ku kërcënohet, ku joshet? Këta janë njerëz që punojnë në administratë. Me këta do shkojmë prapë në zgjedhje? Detyra e parë është pra çmontimi i partisë shtet, me çdo kusht, me çdo betejë.
E dyta, të ruajmë koalicionin, ta rrisim koalicionin. Kemi 730.000 vota përballë qindra miliona eurove që u hodhën kundër nesh me buxhet shteti, pa llogaritur të tjerat. Ti shtojmë votat me një kriter: kush është kundër regjimit të Ramës, asnjë kusht tjetër. Mund të na ndajnë 99 gjëra, por a bëhemi bashkë këtu tek kjo pikë? A bëhemi bashkë të rrëzojmë Ramën, të hapim derën për cdo njeri që është me ne për të rrëzuar Ramën?
E treta, të fillojmë punën që nesër për zgjedhjet lokale. Nuk është sfida jonë pas 4 vjetësh. Sfida jonë janë zgjedhjet lokale. Nëse vendos Gjykata Kushtetuese zgjedhjet janë nesër. Në pranverën e vitit tjetër mund të kemi zgjedhje lokale. A jemi gati? Por dhe nëse nuk janë në pranverë, do të jenë pas një viti e gjysëm. Ne duhet të mendojmë që koha jonë politike nuk është 4 vjet, është një vit e gjysëm deri në zgjedhjet lokale. Kjo është koha jonë politike që na është dhënë. Duhet të jemi mirënjohës. Ta bëjmë betejën, të fitojmë, do fitojmë zgjedhjet lokale, por duhet tia bëjmë ysmetin, dhe pastaj krijojmë shpresë për 2025, apo kurdo qofshin zgjedhjet politike. Kemi zgjedhjet lokale si test. Dhe atë test duhet ta fitojmë dhe duhet të mendojmë që nuk kemi kohë tjetër përtej zgjedhjeve lokale. Të gjithë ne, dhe të tjerët që na ndjekin. Vetëm kështu fitojmë. Kjo është koha jonë. E kemi bërë një herë, dhe në 2003 fituam Korcen, Sarandan, Elbasanin, Lushnjen, u kthyem në bashki të mëdha jug. Pse? Se morrëm korrigjimet politike pas zgjedhjeve të 2001. Pra të çmontojmë partinë shtet, të rrisim koalicionin dhe të fillojmë fushatën që nesër.
Panorama