Të duash Ukrainën më shumë se Kosovën
28 Shkurt 2024
Nga Shaban Murati
Shënim nga blloku diplomatik
Në datën 28 shkurt 2024 kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski nënshkruan në Tiranë “Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Ukrainës”.
Megjithëse ka 11 vjet kryeministër I Shqipërisë, Edi Rama ende nuk ka nënshkruar një Traktat Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën.
Enigma dhe misteri është se kryeministri Rama, kur paraqiti programin e qeverisë së tij të parë, që u miratua nga Kuvendi në 15 shtator 2013, kishte futur në programin qeveritar nënshkrimin e një Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi me Kosovën.
Në kapitullin e politikës së jashtëme të programit qeveritar të kryeministrit Rama, nën titullin “Bashkëpunimi strategjik me Kosovën”, lexohet detyra: “Do të nënshkruajmë Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë”.
Nuk dihet ende se cili presion i jashtëm ose mendje e mbrapshtë në Shqipëri i ktheu atij mendjen. Në kundërshtim me programin e tij qeveritar, kryeministri Rama pas disa muajsh në 11 janar 2014 nënshkroi një “Deklaratë për Bashkëpunimin dhe Partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës”.
Në planin juridik dhe diplomatik “Deklarata” nuk ka asnjë vlerë dhe efekt, përveç reklamës propagandistike, që kanë deklaratat politike midis dy shteteve. Traktati është forma më e lartë kontratuale juridike e marrëdhënive midis dy shteteve. Pse ka vendosur qeveria të mos nënshkruajë Traktat me Kosovën, për këtë duhet pyetur kryeministri i Shqipërisë.
Tërheq vëmendjen fakti se me Traktatin e ri me Ukrainën, Shqipëria figuron se ka nënshkruar “Traktate Miqësie dhe Bashkëpunimi” me 3 shtete, që nuk e njohin Kosovën. Ukraina i shtohet Greqisë dhe Rumanisë.
Vetëm një mendjelehtësi diplomatike mund të sugjerojë nënshkrimin tani të një “Traktati Miqësie dhe Bashkëpunimi” me një shtet si Ukraina, që është në luftë e sipër, që ka gjysmën e territorit të pushtuar nga trupat ruse dhe i cili ka në rend të ditës ekzistencën e tij si shtet.
Vetëm një mendjelehësi shtetërore mund të shpjegojë që Shqipëria nënshkruan Traktat Miqësie me një shtet si Ukraina, e cila vazhdon të shpërfillë interesin kombëtar shqiptar dhe vazhdon të mos njohë Kosovën për hatër të Serbisë, që është aleati strategjik dhe i vetëm ballkanik i Rusisë, shtetit pushtues të Ukrainës.
Duket se kryeministri i Shqipërisë don më shumë Ukrainën se sa Kosovën.
Gazeta Dita