“Të gjithë e dinë ku duhet të shkojnë”/ BBC infiltrohet brenda bandave që marrin shqiptarët me gomone drejt Britanisë
5 Nentor 2022
BBC ka siguruar të dhëna që tregojnë se bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në Francën veriore si kamp rekrutimi duke u ofruar të paguajnë kalimin e atyre që janë të gatshëm të punojnë në industrinë e drogës në Britani, në mbërritjen e tyre atje.
Shqiptarët përbëjnë thuajse një të tretën e 39 mijë personave që kanë hyrë në Britani me gomone këtë vit, tregojnë shifrat e qeverisë. Zyrtarë të lartë të policisë dhe emigracionit në të dyja anët e kanalit anglez janë të shqetësuar nga roli në rritje i ndërmjetësve shqiptarë në lehtësimin e kalimit.
BBC risjell ndërkohë në vëmendje faktin se kryeministri shqiptar Edi Rama, ka akuzuar Britaninë e Madhe se po i bën shqiptarët koka turku për të justifikuar politikat e dështuara të saj për kufijtë dhe emigrimin. Por, transmetuesi britanik thotë se ka parë se si qytetet afër Tiranës janë thuajse të shkretuar dhe se shumë shqiptarë të rinj po i drejtohen brigjeve franceze. Në qytetin francez të Dunkirkut, këtë verë, dëshmitarët okularë thonë se shqiptarët përbënin pjesën më të madhe të personave të vendosur në një kamp emigrantësh atje.
Dhe hotelet e vogla po ashtu tani po ruajnë vende për emigrantët shqiptarë: ato i mbajnë dyert të mbyllura, nuk shihet staf ndërkohë që kanë një numër telefoni të vendosur në xham – shkruan BBC. Bëhet fjalë për numrat e disa ndërmjetësve shqiptarë që presin për klientë dhe që veprojnë si një lidhje kritike me gomonet e vogla që kalojnë detin e që janë kryesisht në duart e rrjeteve irakioano-kurde.
“Në Francë, ka njerëz që të presin”, thotë për gazetaren e BBC një shqiptar që arriti me gomone në Britani këtë verë. “Të gjithë e dinë se ku duhet të shkojnë nëse duan të vijnë në Angli”.
Gazetarja e BBC, ka marrë edhe dëshmi të tjera të rinjsh shqiptarë në Dunkirk, që presin me ankth udhëtimin e afërt drejt Britanisë. Ata tregojnë se si kanë mbërritur në Francë dhe se si janë joshur nga reklamat në mediat sociale që premtojnë ndihmë nga ndërmjetës në Bruksel, Paris, Kale apo Dunkirk. Madje duke u hequr si emigrantë shqiptarë, ekipi i BBC ka kontaktuar edhe me trafikantët që reklamojnë punën e tyre në TikTok.
Ata përgjigjen shpejt dhe të ofrojnë të gjitha mundësitë. Në fund thonë: “Është e lehtë…”
“Unë do t’ju ndihmoj të kaloni nga Calais në Mbretërinë e Bashkuar. Shkoni me autobus për në Belgjikë, dhe nga atje janë dy ose tre orë [në Calais], me tren ose taksi. Kur të vijë koha për të shkuar, do të vijnë dhe do t’ju marrin [nga hoteli]. Nuk do të kesh asnjë problem”- thonë ata.
Ndërkohë, që për të kompletuar raportin e tyre, gazetarët e BBC kanë ardhur edhe në Shqipëri, duke u ndalur në Laknas, ku siç u rrëfejnë banorët, “70 për qind e popullsisë është larguar drejt Britanisë. Dhe vende si Laknasi tani në Shqipëri ka shumë”- thonë ata.
Dhe motivi që i shtyn të rinjtë të largohen nga Shqipëria, shkruan BBC, është ekonomia. Korrupsioni është një sistem problematik në vend dhe shifrat e eurostatit nga 2018 tregojnë se të ardhurat mesatare të një familjeje në Shqipëri janë 10 herë më të ulëta se sa në Britaninë e Madhe.
Gazeta Shqip