“Të gjithë e duan Agim Krajkën”, 140 artistë në skenë për mjeshtrin. –
“Të gjithë e duan Agim Krajkën”, 140 artistë në skenë për mjeshtrin. –
Nga: ALMA MILE
Ai fitonte vetëm vende të dyta, sepse të parat i jepeshin Partisë. Por, e vërteta ishte se të gjithë donin Agim Krajkën. Dhe vazhdojnë ta duan, pavarësisht se të tjera ritme, stile, ngjyra, ka marrë muzika jonë.
“Të gjithë e duan Agim Krajkën, sepse ai kompozoi për të gjithë, shkroi këngë, muzikë filmash, vepra instrumentale dhe për orkestër. Ai i shkroi gjyshes, por dhe rinisë e prandaj brezat unifikohen në pentagramet e tij”. Pikërisht për këtë, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor do të zhvillojnë dy net koncert me një titull që të gjithë do të ishin dakord: “Të gjithë e duan Agim Krajkën”.
Në datat 7 dhe 8 dhjetor, rreth 140 artistë do të ngjiten në skenën e “ArTurbinës” për të interpretuar majat e muzikës, që krijoi “Mjeshtri i Madh”, Krajka. Nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko, Orkestra e TKOB, Ansambli Popullor, Bandi Jazz dhe këngëtarë të njohur do të bëhen bashkë për shpalosur më të mirat jo vetëm në lëmë të muzikës së lehtë, por edhe atë popullore dhe kolonat zanore të filmave.
MUZIKA E LEHTË
Festivalet e paraviteve ’90 nuk kishin kuptim pa një këngë të Krajkës. Ai do të fitonte 15 çmime të dyta, tre çmime të treta dhe një të parë, kënduar nga motrat Libohova. Këngët shkonin menjëherë te dëgjuesi. Ritmike, rinore.. Krajka do të ishte aty, që në Festivalin e parë të Radio-Televizionit Shqiptar me “Lemzën”, të interpretuar nga e madhja Vaçe Zela. Një këngë që nuk i rrinte fort mirë “shtatit” të “njeriut të ri” socialist, ndaj edhe do të lihej në harresë, për t’u shpluhurosur sërish pas viteve ’90.
Në këtë mbrëmje kushtuar krijimtarisë së Krajkës, kjo këngë do të interpretohet nga Band Jazz dhe nga mexosopranoja Vikena Kamenica. Të tjera hite do të vijnë nga të tjera këngëtare të njohura të skenës. Kështu, një ndër këngëtaret që ka kënduar nëpër festivale, disa nga krijimet e Krajkës, Irma Libohova, do të interpretojë këngën “Kur këndoje ti”; Kamela Islamaj do të ngrohë atmosferën me këngën “Kafe Flora burra plot”; Eneda Tarifa do të interpretojë këngët “Djaloshi dhe shiu” dhe “Sonet për veten”; një nga zërat më të mirë të muzikës së lehtë shqiptare, Juliana Pasha, do të sjellë “Kënga e gjyshes” dhe “Dëgjoma këngën” etj.
Një kontribut të veçantë Krajka ka dhënë dhe në muzikën e filmave, ndër të cilat veçojmë kolonat zanore të “Njësiti Guerril”, “Çifti i Lumtur”, “Zonja nga Qyteti”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Një shoqe nga fshati”, “Lundrimi i parë”, “Zëvendësi i grave”. Disa nga motivet më të njohura nuk do t’i mungojnë Grand Galasë.
NË ANSAMBËL
Krajka u bë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, fillimisht si instrumentist e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre.
Ai u bë ura lidhëse midis themeluesve të këtij Ansambli, kompozitorëve të mëdhenj si Zadeja e Daija dhe atyre që do të vinin pas për konsolidimin e muzikës popullore të përpunuar. Krajka ka qenë dirigjent i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për shumë vite. Bashkë me të tjerë emra të asaj kohe, si koreografi i madh Panajot Kanaçi, Krajka i dha një frymë të re këtij institucioni.
Përmes orkestrimeve të tij, ai e bëri muzikën popullore të dashur për të gjithë dhe e solli më pranë njerëzve. Maestro Krajka ka lëvruar mjaft motive vallesh, të cilat janë nderuar edhe me çmime të para si: “Vallja e Librazhdit”, “Vallja e Tiranës”, “Vallja çame” etj. Në këtë mbrëmje gala, do të interpretohen ndër të tjera edhe “Vallja e Librazhdit” e njohur ndryshe si “Vallja e Rexhës”, ku do të interpretojë “Nderi i Kombit”, Liljana Cingu.