“Të gjithë jemi të tronditur dhe të shokuar nga lajmi”. Erisa Xhixho thirrje urgjente: – Krim shtetëror, SPAK të veprojë, koha nuk pret!
“Të gjithë jemi të tronditur dhe të shokuar nga lajmi”. Erisa Xhixho thirrje urgjente: – Krim shtetëror, SPAK të veprojë, koha nuk pret!
13 KORRIK 2020
Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho përmes një deklarate nga selia e LSI tha se pagesa prej 109 milionë eurosh që do bëhet nga qeveria shqiptare për biznesmenin Francesco Becheti, të fituara prej tij në arbitrazh nuk është gjë tjetër veçse një krim shtetëror. Xhixho i kërkoi SPAK të hetojë.
Përshëndetje!
Të gjithë jemi tepër të tronditur dhe të shokuar nga lajmi që nga xhepat e shqiptarëve e taksat tona do të paguhen milona euro për faj të kryeministrit dhe qeverisë ndaj biznesmenit italian Francesco Becheti.
Shqiptarët duhet të paguajnë sot, 109 milionë euro ose thënë thjesht 140 miliardë lekë si pasojë e veprimeve arbitrare dhe mafioze të qeverisë ndaj biznesmenit Francesco Becheti.
Në situatën që jemi sot, këto para mund të ishin përdorur për të zgjidhur problemet kritike me të cilat po përballen shqiptarët dhe bizneset si pasojë e pandemisë. Në mënyrë të veçantë sektori i turizmit.
Të nderuar qytetarë, ky është një krim shtetëror që është konsumuar në sytë e të gjithëve ne dhe pasojat janë katastrofike. Të gjithë ne, sot kërkojmë që fajtorët e krimit shtetëror të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Tashmë, gjykatat ndërkombëtare kanë folur, mediat po ashtu, qytetarët gjithashtu. Të vetmit që nuk kanë folur janë kryeministri dhe prokuroria.
SPAK ka detyrimin kushtetues për të hetuar dhe hapur çështjen penale, në mënyrë, që qe nga kryeministri deri te zyrtari më i fundit të merren nën hetim.
Sërisht nga kjo foltore, në emër të të gjithë shqiptarëve që kërkojnë drëjtësi, po i drejtohemi SPAK me këto pyetje përgjigjet e të cilave nuk mund të presin më:
1. Pse nuk i ka bërë publike me kohë këto vendime qeveria shqiptare, këtë vendim, por edhe të tjera që ajo rrezikon t’i humbasë në gjyqet me biznesmenët
2. Kush do ta paguajë këtë shumë marramendëse, pra kush do ta paguajë? Ne?
3. Cilat janë veprimet anti-ligjore të qeverisë të cilat çuan në këtë vendim shumë të rëndë?
4. Cila është përgjegjësia penale e Edi Ramës si kryeministër që ka patur dijeni për çështjen dhe veprimet që ka inkurajuar lidhur me të?
5. Cilat janë përgjegjësitë penale të ekzekutivit individualisht, ministra, drejtorë të tjerë që lidhen me këtë çështje dhe deri tek specialisti më i thjeshtë?
6. Cilat janë përgjegjësitë e prokurorisë në këtë proces për mosveprimet dhe heshtjen e saj?
7. Çfarë procesesh albitrazhi të tjera janë duke u zhvilluar kundër qeverisë dhe sa shkon vlera e tyre? Pra, çfarë tërmeti tjetër e pret publikun shqiptar dhe financat shqiptare?
8. Pse nuk u mor asnjë masë, asnjë drejtim pas alarmit të ministrit të Drejtësisë në 10 prill të vitit 2017 mbi këtë dëm financiar që po i vinte vendit dhe rrezikun e humbjes së miliardave të tëra nga financat publike.
9. Interesat e kujt janë favorizuar nga veprimet arbitrare dhe abuzive të qeverisë në prishjen e kontratave?
10. Pse prokuroria shqiptare akoma dhe sot nuk ka hapur çështjen penale dhe filluar hetimin ndaj Edi Ramës, qeverisë për shpërdorimin e detyrës me veprime dhe mosveprime të tyre që kanë sjellë pasoja kolosale ndaj financave publike?
Çdo minutë që SPAK nuk vepron, rëndon së tëpërmi pozitën e tij dhe e shtyn atë drejt bashkëfajësisë.
Faleminderit!
Nga Gazeta Sot