‘Të hetohen takimet e paligjshme të PS-PD me Diasporën’, Alibeaj: Misioni ynë, nxjerrja e Ramës në pakicë
4 Shkurt 2025
Deputeti Enkelejd Alibeaj ka nisur rrugëtimin politik me partinë e tij të re opozitare, “Djathtas 1912”, duke e pozicionuar si një alternativë kundër mazhorancës socialiste në zgjedhjet e 11 majit.
Në një intervistë televizive, Alibeaj hodhi dyshime mbi qëllimin e Komisionit Antikorrupsion, të njohur si “Komisioni Xhafaj”, duke e cilësuar atë si një përpjekje të mazhorancës për të ndërhyrë në drejtësi dhe për të penguar punën e SPAK. Ai argumentoi se ky komision është krijuar për të mbrojtur lidhjet e politikës me krimin e organizuar.
Duke iu referuar votës së diasporës, Alibeaj kritikoi praktikat e dy partive të mëdha, duke i akuzuar se e trajtojnë diasporën si “plaçkë lufte” dhe organizojnë aktivitete elektorale të ndaluara nga Kodi Zgjedhor. Ai kërkoi ndërhyrjen e SPAK për të hetuar këto shkelje dhe njoftoi krijimin e një strukture ligjore brenda “Djathtas 1912” për të denoncuar krimet elektorale.
Sa i përket objektivave të partisë së tij, Alibeaj nuk dha shifra konkrete për mandatet që synojnë të marrin, por u shpreh se misioni kryesor i opozitës duhet të jetë që më 11 maj Edi Rama dhe Partia Socialiste të mbeten në pakicë. Ai e konsideroi largimin masiv të shqiptarëve si treguesin më të qartë të dështimit të qeverisjes së PS-së.