Të martën rinisin reshjet me shtrëngata e stuhi, ARRSH u bën thirrje shoferëve për kujdes në rrugë!
22 Nentor 2022
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit të së martës ka rënë intensiteti i reshjeve të shiut në të gjithë vendin duke sjellë një qetësim të situatës.
Sipas ARRSH, aktualisht vetëm në aksin Dedaj-Razëm vazhdon devijimi për në rrugën alternative.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën thirrje që të tregohet “kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me shi, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”.
Ndërkohë, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se për ditën e Martë dhe atë të Mërkurë pritet përsëri kalimi i një fronti të ftohtë atmosferik.
Moti parashikohet me vranësira të dendura dhe reshje shiu të cilat ditën e martë do të jenë të herëpashershme me intensitet mesatar dhe përgjatë ultësirës perëndimore deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive.
Ditën e Mërkurë reshjet me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Në relievet malore në lindje të territorit reshje dëbore.
Gazeta Shqip