Të moshuarve i sekuestronte spinaqin. – Ermal Kapllanaj refuzon të deklarojë pasurinë. – Ish-“i forti” Bashkisë i tregon “muskujt” shtetit.
22 Nentor 2024
Për 9 vite në krye të Policisë Bashkiake të Tiranës, Ermal Kapllanaj ka vepruar me “dorë të hekurt” dhe zero tolerancë ndaj çdo pensionisti që në kufijtë e mbijetesës dilte për të shitur perime.
Pamje të tilla ku të moshuarve i sekuestrohej malli ose në mënyrë demonstrative i hidhej në mes të rrugës u kthye në rutinën e kryeqytetit.
Ndërkohë që Ermal Kapllanaj fliste për forcën e ligjit dhe respektimin e tij, gjatë kohës që ka ushtruar këtë funksion ka qenë pikërisht ai që e ka shkelur ligjin.
Më konkretisht, si Kryeinspektor i Policisë Bashkiake të Tiranës Z. Kapllanaj ka pasur detyrimin ligjor për “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë”.
Gjatë nëntë viteve në krye të këtij institucioni ai ka dorëzuar deklaratën e pasurisë për 2 vitet e para, më konkretisht për vitin 2015 dhe 2016, e pas kësaj periudhe kohore ai nuk ka deklaruar asnjë të ardhur në ILDKPKI.
Të shmangësh detyrimin ligjor për të deklaruar pasurinë teksa je në një funksion publik është vepër penale që dënohet me ligj. Teksa ndëshkonte të moshuarit se shisnin në trotuar, vetë Kapllanaj ka shkelur ligjin për 7 vite duke mos deklaruar pasurinë.
Për shtatë vite numri një i Policisë Bashkiake nuk ka deklaruar asnjë qindarkë ne ILDKPKI, as nga paga e tij dhe as nga paga e bashkëshortes.
Është “terr informativ” nëse gjatë kësaj kohe ai ka bërë blerje pronash, ose investime në biznes, për vetë faktin se ky zyrtar nuk ka pranuar të deklarojë të ardhurat.
Ndërkohë që edhe ILDKPKI ka struktura monitoruese për të parë nëse funksionarët publik i dorëzojnë deklaratat e pasurisë ose jo.
Me sa duket edhe këtij institucioni nuk i ka rënë ne sy fakti që për shtatë vite rresht Ermal Kapllanaj nuk ka dorëzuar asnjë informacion për te ardhurat dhe investimet.
Është pikërisht ky institucion që ka tagër ligjor për të proceduar penalisht çdo zyrtar që i shmanget detyrimit për deklarimin e pasurisë.
Nga OraNews