Të ndarë përballë Vuçiçit. Kurti denoncon lidhjet me Putinin. – Rama e justifikon Vucicin për qëndrimin ndaj Ukrainës
Të ndarë përballë Vuçiçit. Kurti denoncon lidhjet me Putinin. – Rama e justifikon Vucicin për qëndrimin ndaj Ukrainës
– 02.03.22
Gazeta Shqiptare
Në një intervistë për median britanike Sky News, Albin Kurti ka lëshuar një arsenal akuzash kundër Serbisë me fokus lidhjet që ky shtet ka me Rusinë dhe shanset për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.
Kurti ka shfrytëzuar vëmëndjen negative që mori Serbia kur nuk iu bashkua sanksioneve ndaj Rusisë, megjithëse është një vend kandidat për Bashkimin Europian.
Kryeministri kosovar e quajti Vuçiçin, një president despotik që e urren NATO-n.
“Ballkani s’është imun nga efektet e situatës në Ukrainë, sepse në Ballkan kemi një shtet që s’ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe s’është rreshtuar me BE-në për ta dënuar agresionin rus dhe ajo është Serbia. Serbia s’e njeh Kosovën. Rusia me Serbinë kanë lidhje të forta dhe këto lidhje janë kulturore dhe ushtarake e ekonomike. Serbia ka 14 aeroplanë luftarakë Mig29, donacione nga Rusia dhe Bjellorusia. Të gjitha kompanitë ruse kanë degët e tyre në Serbi, dhe qytetarët e Kosovës janë të shqetësuar që presidenti despotik Vladimir Putin do të provojë ta transferojë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta shdërruar në betejë të tij me demokracitë perëndimore”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka shprehur edhe njëherë dëshirën që vendi i tij të anëtarësohet sa më shpejt në BE dhe NATO pas zhvillimeve të fundit.
Për ta konkretizuar më tej idenë e lidhjeve të forta Rus-Serbi, Kurti solli edhe një herë në vëmëndje takimin Putin-Vuçiç nëntorin e kaluar, ku të dy vunë para një hartë të Kosovës.
“Presidenti Putin në nëntorin e kaluar ka pritur presidentin e Serbisë, Vuçic në Soçi, dhe i ka shfaqur një hartë të Kosovës të përqëndruar në veriun e Kosovës sepse aty ka struktura ilegale që operojnë atje praktikisht janë në koordinim të afërt për atë kryeqytetet e BE-së duhet të kërkojnë nga Beogradi ta dënojnë agresionin e Rusisë në Ukrainë. Për këtë BE dhe NATO duhet të angazhohen më shumë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj unë ju bëj thirrje 5 shteteve mosnjohëse të BE-së që ta njohin Kosovën dhe në këtë mënyrë do të kontribuojnë në paqe, stabilitet dhe siguri”, tha ai.
Por kur dëgjon të flasë kryeministrin e Kosovës dhe akuzat që ai bën ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk ka se si të mos bjerë në sy kontrasti i lartë në qëndrimin që mbajti kryeministri Edi Rama pak ditë më parë.
Gjatë një konference për mediat, Rama e trajtoi qëndrimin e Vuçiçit si një temë dytësore, ndërsa zgjodhi të mos i bashkohet presionit diplomatik, duke thënë se:
“Në informacionin paraprak që kam marrë, – nuk kam lexuar të gjithë qëndrimet, – Presidenti i Serbisë është shprehur për integritetin territorial të Ukrainës, pra një qëndrim i dyjëzuar tipik për politikën e jashtme serbe” u shpreh Rama në konferencën e datës 25 shkurt.
Deklarata u bë pak pasi Vuçiç kishte refuzuar sanksionet ndaj Rusisë.
Diferenca mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë për Vuçiçin është e qartë. Njëri denoncon lidhjen e ngushtë të Vuçiçit me Putinin, tjetri e relativizon duke e quajtur “të dyzuar” dhe “tipike për politikën e jashtme serbe”.
Ndarja mes Kurtit dhe Ramës nuk vjen surprizë. Pavarësisht se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe shpesh ka provokuar tensione në kufirin verior të saj, qeveria shqiptare është e angazhuar intensivisht në projektin e Ballkanit të Hapur dhe sot ka hequr kufijtë nga Maqedonia e Veriut drejt Shqipërisë.