“Të nisë hetim, policia ka përdorur dhunë”. – Kontrollet në kampin MEK, avokati Gjokutaj për Panorama TV: – Ngjarje e rëndë! Ata janë popullsi me mbrojtje të posaçme nga SHBA
20 qershor 2023
Avokati i muxhahedinëve, Genc Gjokutaj ka reaguar në lidhje me tensionet e ndodhura këtë të martë në kampin e MEK në Manëz, Durrës pas kontrolleve të policisë.
Gjokutaj tha se pas kontrolleve të policisë ka dhe viktima, dhe për këtë duhet të ketë një hetim pasi muxhahedinët janë popullsi me mbrojtje të posaçme nga SHBA.
Sakaq theksoi se policia ka për detyrë të zbatojë ligjin por pa shkaktuar dëme në njerëz dhe dëme materiale.
“Është një i vdekur dhe disa të plagosur, 40 a 45. I vdekuri ndodhet këtu në ambulancë, dhe është i dëmtuar fizikisht, të shohim konkluzionin e mjekut të ekspertizës ligjore. Besoj se këtu do nisë një hetim, dhe ky hetim do i sqarojë të gjitha elementët dhe të policisë dhe banorët e kampit, por këta nuk janë të armatosur. Përgjegjësia është përgjegjëse që të zbatojë ligjin por mos ketë dëme në njerëz dhe materiale, mua më thonë që këtu është përdorur dhunë. Janë thyer dyer, është përdorur gaz lotsjellës, ndaj personave që kanë mbrojtje të posaçme nga SHBA, qeveritë kanë qëndrim unik, në mbrojtje të tyre. Hetimi duhet të jetë serioz dhe të vërë para përgjegjësisë ata që kanë shkaktuar këtë ngjarje të rëndë, pjesë e errët e policisë është fakti se mohojnë faktin se këtu ka një viktimë”, tha ai.
Gazeta Panorama