Të pathënat për ‘Dea-n’ e Butrintit. –
Të pathënat për ‘Dea-n’ e Butrintit. –
Pas shumë viteve ekspozim në Muzeun Kombëtar të Romës Dea u kthye në Shqipëri në vitin 1981. Por çfarë u vu re gjatë shqyrtimit të saj me anë të rrezeve ultraviolet? Ajo paraqet një rast të gërmimit arkeologjik tepër të kujdesshëm, si dhe të një trajtimi të mëvonshëm në muzeum, në një shkallë shembullore…
Nga: Frederik Stamati.
Luixhi Ugolini, kont për nga origjina dhe njëkohësisht arkeolog italian i klasit të parë, pati fat të madh me gërmimet arkeologjike në Butrint. Atje ai zbuloi një skulpturë, kokë mermeri, nga më të bukurat, ose më e bukura e gjetur ndonjëherë në Shqipëri.
U mahnit nga rrezatimi i bukurisë së saj dhe menjëherë e quajti “Dea”, që në italisht do të thotë perëndeshë1). Mirëpo, në fushën e pamatë të dijes dhe publicistikës e ndeshim më tepër si “Hyjnesha” e Butrintit. Me sa duket, sinonimi “Hyjneshë” ishte më mbresëlënës dhe e fitoi konkurencën. Më mirë nga të gjithë përshtatjen e ndryshimit e komenton prof. dr. Selim Islami në shkrimin “Koka e “Hyjneshës” së Butrintit u kthye në Atdhe”2), kur thotë se: “Ky emër konvencional, me të cilin zbuluesi e pagëzoi këtë vepër, me kalimin e kohës u bë emër i përjetshëm i saj”. Në të vërtetë është “Kryet e Apollonit” siç cilësohet edhe në Historinë e Shqipërisë3).
Ugolini e vendosi në një shtatore të bukur gruaje, po prej mermeri, që edhe ajo ishte zbuluar në Butrint, pra, si të thuash, u bë koka e shtatores, megjithëse nuk përputhej me zgavrën midis supeve që kishte ajo. Në lashtësi shpesh herë koka porositej veçan dhe sipas porosisë me tipare të veçanta dhe montohej në zgavrën e shtatores së gatshme, duke e lidhur me plumb, ose ndonjë material tjetër.
Për disa kohë ato qëndruan bashkarisht, të ekspozuara në Butrint, duke ia bërë ferk me bukurinë e tyre të gjithë atyre që i shikonin me admirim dhe duke i tunduar… Me sa duket kjo ndodhi edhe me Ugolinin.
Të qenit me origjinë konti, që në mendimin e çiltër lidhet me fisnikëri, nuk e mposhti tundimin e ethshëm për ta patur këtë skulpturë në vendin e vet, në Itali, prandaj edhe e nisi me një varkë…Ёshtë shkruar se e diktuan doganierët shqiptarë…, se ndërhyri Ahmet Zogu dhe ia dhuroi Duçes për të mbyllur skandalin…
Është shkruar shumë për këtë ngjarje dhe nuk kam se çfarë të shtoj dhe kushdo që është kurioz mund të lexojë botimet përkatëse në shtypin tonë. Skulptura qendroi për një kohë të gjatë në Muzeun kombëtar të Romës, derisa në vitin 1981 u kthye në Shqipëri, në bazë të një vendimi të UNESCO-s që detyronte ndërkombëtarisht kthimin në atdhe të objekteve të grabitura.
Koka e Deas u vendos menjëhërë në një vend nderi në pavionin e arkeologjisë të Muzeut Historik Kombëtar, ku meritoi kundrimin e vizitorëve të shumtë.
Ka disa të pathëna për punën e zakonshme që bëhët në muzeume lidhur me objektet. Dy nga keto janë, vërtetësia dhe dëmtimi. Të dyja zbulohen me anë të shqyrtimit me anë të rrezeve ultraviolet. E gjitha bazohet në përthithjen, apo reflektimin e ndryshëm të rrezatimit nga sipërfaqet me patinën e formuar gjatë kohës së qëndrimit të gurit dhe mermerit në tokë, dhe e sipëqrfaqes së krijuar rishtas nga dëmtimi, apo prodhimi i ri, mjafton që për larje të mos jenë përdorur detergentët modern. Një sy i stërvitur dallon shpejt ato që nuk mund të shihen në dritën natyrale.
Kur u kthye Dea e bisedova këtë çështje me drejtorin e atëhershëm të Muzeut Historik Kombëtar, prof. dr. Burhan Çirakun . Nuk ekzistonte aspak dyshimi i zevendësimit të origjinalit me një kopje, kthimi ishte zyrtar dhe plotësisht i sigurtë. Ishte vetëm kurioziteti i të pathënave të gërmimit arkeologjik dhe i konservimit.
Atë natë që do të bënim shqyrtimin pamor të skulpturës, së bashku me Doloresa Gasparin, kimistja e atëhershme e muzeut, e errësuam plotësisht vendin ku qendronte e ekspozuar koka e “Hyjneshës”. Pastaj i drejtuam burimin e rrezatimit ultraviolet. Mbas dy-tre minutave pamja dhe njëkohësisht rezultati ishin marrë: asnjë dëmtim në sipërfaqen e kokës së “Hyjneshës”, as edhe sa një majë gjilpëre.
“Dea” e Butrintit është një shembull, ajo paraqet një rast të gërmimit arkeologjik tepër të kujdesshëm, si dhe të një trajtimi të mëvonshëm në muzeum, në një shkallë shembullore.
————–
1) “Fjalor italisht-shqip”. Shtypshkronja “Mihal Duri” Tiranë, 1986
2) Selim Islami. HISTORIA E ILIRËVE. Tiranë 2008
3) Historia e Shqipërisë. Vëllimi Irë. Tiranë 1959.