“Të rinjtë e Vlorës do të fitojnë nga 1 deri në 10 mijë euro pa lëvizur nga vendi” thote Rama. Flet për qendrën e inovacionit digjital: Kjo është e ardhmja
18 shkurt 2021
Gjatë inspektimeve të punimeve në Muzeun Hebraik në Vlorë kryeministri Rama foli dhe për projektin e transformimit të karabinasë së lashtë të “Sulos”, në një qendër inovacioni digjital.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo qendër do t’i ofrojë shumë mundësi të rinjve, të cilët pa lëvizur nga Vlora do mund të punojnë në tregun global dhe të përfitojnë nga 1 deri në 10 mijë euro fitime.
“Kjo do të kthehet në objekt publik dhe do të jetë një qendër e cila do të ketë disa komponentë. Një nga komponentët kryesorë do të jetë qendra për të gjithë proceset e IT për të rinjtë, në mënyrë që ta krijojmë rrjetin dhe bërthamën e nisur në Tiranë me Tumon, me Korçën që ka avancuar për ta pasur këtë qendër për të rinjtë tek biblioteka e re. Me Vlorën kemi një aset fantastik këtu që mund të transformohet dhe t’i japim mundësi të rinjve të kenë akses në këtë aktivitet, me procese ultra inovative trajnimi me aktorë që i kemi në kontakt, dhe të hyjnë në botën e kodimit dhe të gjithë shërbimeve globale online. Që u japin mundësinë që pa lëvizur fare nga vendi të jenë të punësuar në tregun global, dhe të mund të kenë paga që shkojnë nga 1 mijë euro në ditën e parë në 5, 10, në varësi nga aftësia dhe kapaciteti i shërbimeve që kryejnë.
Kjo është e ardhmja në fakt, e atyre që sot janë 15, 16, 19-vjeç në sensin e punësimit”, tha Rama.
Gazeta Panorama