
Të tjerë politikanë dhe oligarkë me probleme në SPAK, nga Vilma Nushi, Vladimir Kosta, deri te Bardh Spahia… – Ja ç’po ndodh brenda Prokurorisë së Posaçme
27 Shkurt 2025
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar hetimet ndaj disa politikanëve dhe oligarkëve të njohur në Shqipëri. Dita e djeshme ka qenë sërish shumë e ngarkuar për prokurorët specialë. Si fillim ka qenë oligarkja Vilma Nushi, e cila është paraqitur për seancën e planifikuar për pajtim me deputeten e PD, Albana Vokshi. Pas përfundimit të seancës, Vokshi bëri të ditur se asnjëra nga palët nuk ra dakord për një pajtim, duke theksuar se do të vazhdojë deri në fund në procesin ligjor.
Deputetja nuk hoqi dorë nga qëndrimi i saj dhe tha se do të kërkojë si dëshmitarë kryesorë në proces Edi Ramën, Ogerta Manastirliun dhe Ilir Beqajn, të cilët, sipas saj, ende nuk kanë dhënë llogari për keqpërdorimin e koncesioneve të Check-upit dhe sterilizimit. Ajo paralajmëroi se do të vazhdojë të hedhë dritë mbi këto skandale që i kanë shkaktuar dëm popullit shqiptar. Ky proces ka pasur tensione dhe debate të forta, pasi Vokshi ka qenë një prej kritikeve kryesore të koncesioneve në shëndetësi, ndërsa Nushi ka insistuar në pafajësinë e saj ndaj akuzave, duke thënë se janë shpifje.
Deputetja e akuzon Vilma Nushin se ka përfituar në shkelje të ligjit shuma marramendëse nga lekët e taksapaguesve shqiptarë. Akuzat më të rënda dje për Vilma Nushin i hodhi dhe anëtarja e PL Miranda Rira. “Kjo grua zhvati qindra milionë euro të buxhetit të shtetit, duke lënë pa ilaçe fëmijët e vegjël te onkologjiku, nënat dhe motrat e sëmura me kancer që marrin kimion nëpër karrige sepse nuk ka shtretër, të sëmurët pafund që përplasen në dyert e shëndetësisë dhe nuk marrin shërbime, sepse thasët me paratë publike, i mori pikërisht kjo grua.
Ajo, nëpërmjet klientelizmit me kryeministrin, zhvati më të dobëtit e shoqërisë, më të këputurit, të sëmurët…Nusja e djalit të ish-anëtarit të Byrosë Politike Gogo Nushit, e nisi biznesin duke shpërndarë duhan dhe buzēkuq dhe e përfundoi duke zhvatur miliona euro për CHECK-UP in e famshëm, hemodializen, laboratorët dhe shërbime të tjera, që kryehen në shtet por miliarda lekë të taksapaguesve shqiptarë, shkojnë në llogaritë e Vilmës”, u shpreh ajo ndër të tjera.
Dëshmia e Vladimir Kostës dhe dosja e Bardh Spahisë
Po ashtu edhe ish-deputeti i PS, Vladimir Kosta është thirrur dje në SPAK. Ai pranoi që ishte thirrur për çështjen Veliaj. Pas daljes nga dyert e SPAK ai tha se foli aq sa dinte, duke theksuar se janë hetime sekrete. “Nuk mund të flas. Çështja është nën hetim”, ka deklaruar Kosta. Kosta njihet gjithashtu dhe si pronar i ‘SKy Toëer’ në ish-bllok, pallati ku ndodhen dhe zyrat e OJF-së ‘Harabel’ e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa. Nga ana tjetër, SPAK ka dërguar dje për gjykim dosjen e ish-kryetarit demokrat të Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, i marrë i pandehur për pengim të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
Spahia u kallëzua nga ish-drejtori i Ujësjellësit të Shkodrës, Mark Molla. Sipas SPAK, Spahia ka vepruar në shkelje të ligjit duke shkarkuar drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, pavarësisht se kishte një vendim gjyqësor për pezullimin e këtij akti. Nga hetimet e nisura në vitin 2024, SPAK thotë se Spahia, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër dhe njëkohësisht si Kryetar i Bashkisë Shkodër, më 18 korrik 2022 ka marrë vendimin për shkarkimin nga detyra të administratorit Mark Molla dhe emëroi një anëtar të FRPD-së. Ish-drejtori, Molla e denoncoi për shkarkim në shkelje të ligjit dhe gjykata e riktheu në detyrë, vendim të cilin Bardh Spahia nuk e zbatoi.
Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vendosi pezullimin e vendimeve për shkarkimin e tij, duke urdhëruar që ai të rikthehej në detyrë deri në përfundim të çështjes. Po pavarësisht vendimit, Spahia e ka injoruar dhe ka vijuar me procedurat për shkarkimin e tij dhe 7 ditë pas vendimit gjyqësor, ish-kreu i Bashkisë së Shkodrës më datë 25.07.2022 ka marrë tre vendime të tjera për shkarkimin e Mollës.
“Nga ana e të pandehurit Bardh Spahia, duke qenë në dijeni të vendimit nr.16 (2984), dt. 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë, pavarësisht faktit se ka patur një vendim gjyqësor të qartë dhe të ekzekutueshëm në mënyrë të menjëhershëm për Asamblenë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër për pezullimin e vendimeve nr.16 dhe nr.17, dt. 18.07.2022, me të cilat ishte shkarkuar shtetasi, Mark Molla, dhe emëruar A.B., (si rrjedhojë nga Gjykata është urdhëruar rivendosja në detyrë e shtetasit Mark Molla, deri në përfundim të procesit gjyqësor), nga ana e tij, është anashkaluar ky urdhërim gjyqësor duke nxjerrë shtatë (7) ditë më vonë, në dt.25.07.2022, tre vendime të tjera me nr.18, nr.19, nr.20, përmes të cilave sërish ka shkarkuar nga detyra shtetasin, Mark Molla, dhe ka emëruar A.B si administrator, veprime këto të kryera me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nr. 16 (2984), datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, njofton SPAK. Tashmë, pritet që në GJKKO të caktohet seanca paraprake ku do të vendoset nëse dosja kalon ose jo për gjykim.
Gazeta Sot