“Teatër politik në tarracë, një klloun denoncon qeverisjen e kanabisin”

Një artist i çmendur që kërkon të drejtojë një parti. Jo rastësisht klloun, i veshur me ngjyra. Një popull që nuk do teatrin, xhonturqit kundrejt osmanëve dhe një klloun pretendent për fronin mbretëror shqiptar që bëhet “Pesë ditë mbret”.

Komedia e shkruar nga Stefan Çapaliku ka çelur sezonin artistik kryeqytetas të Tiranës pandemike me teatrin Metropol, në tarracën e Teatrit të Operës. Nga çështja e kanabisit, te vettingu i propozuar pos drejtësisë edhe në politikë, shfaqja që ka sfond historik shekullin e kaluar aktualizohet edhe përmes shitjes e rrudhjes së kufijve të vendit.

Stefan Çapaliku thotë se “Teatri e ka për detyrë t’i flasë të tashmes. Është tragjikomik fakti se si kllouni vjen, pranohet si mbret dhe për mënyrën se si e drejton vendin. Historia e Otto Witte ka gjetur vend në disa vepra letrare”.

Dy aktoret e rinj, njeri ne rolin e kllounit Otto e tjetri ne 6 role shoqëruese, sjellin një histori që merr shkas nga rrëfimi i kllounit gjerman Otto Witte, që pretenden se ka qenë pesë ditë mbret i Shqipërisë, nga merr titullin shfaqja.

Rafael Hoxhaj, aktor i shfaqjes në rolin e kllounit Otto thotë se ‘shumë figura të larta politike u bënë drejtues nga hiçi. Si Enver Hoxha, por edhe Hitleri erdhën nga hiçi. Hitleri mbajti një fjalim në një lokal në Gjermani dhe u bë ai që e dimë”.

Aktori tjetër, Ismail Shino, vërejti se shfaqja e tyre është “teatër politik sepse mesazhi i saj është i qartë besoj, ne jemi qeverisur nga kllounët gjithnjë, që kanë ardhur kanë marrë dhe kanë ikur më pas”.

Shfaqja e parashikuar për në mars, vjen këtë vjeshtë si rrekje për të zgjuar skenën nga djerrina kulturore e diktuar nga masat anticovid.

Jonida Beqo, drejtore e teatrit Metropol thotë se pavarësisht kushteve, nëse ky ëshët realiteti ynë i ri, duhet të përballemi, e të mësohemi duke pasur kujdes, por “arti i domosdoshem, na mbajti pozitivë në karantinë dhe ëshët konsumuar art më shumë se kurrë në kushtet e karantinës.”

Prej marsit teatrot jane te mbyllur dhe ende nuk ka nje vendim per sezonin e ri artistik.

(BalkanWeb)