-Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore përmes një deklarate shprehet se Teatri Kombëtar nuk mund të shembet, është trashëgimi historike dhe arkitekturore unike. –

Ja skema e zhdervjellet e shtrirjes hapesinore te kompleksit te Teatrit ne vitet ‘30; e me poshte dhe modifikimi i tij ne rrjedhe te dekadave.
Racionalizmi Europian qe shenjon teatrin e Tiranes, me ngjyrese te forte te monumentalitetit italian te fillimit te shekullit XX, i shpeton si qasjes neoklasike, ashtu dhe klisheve te destinuara nga arkistaret aktuale per provincen tone (te coroditur nga mungesa e konkurrimit, rregullave, ligjeve urbanistike dhe oponencave te specializuara).

Nje restaurim mbi bazen e projekteve te hartuara nga Politecnico di Milano e ben kete kompleks nder me te bukurit dhe novatoret ne te gjithe rajonin tone, e ben nje hapesire rekreative per njerezit ne nivelin zero pa dashur ti ngjise ata ne katin e katert, e ben te shijojne shetitoren e mbuluar vetem me nje portik elegant, pa i futur ne vrima trekendeshe te kopjuara e te pakuptimta qe ne Genplanin e Tiranes nuk te shpien asgjekund.
Po aq i rendesishem mbetet fakti se restaurimi e delegjitimon ngritjen e pese kullave te mallkuara, ngjitur me njera-tjetren e te alternuara ne plan per pamundesi drite natyrale, ne rritje progresive te perbindeshme nga 8-38 kate.

***

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore përmes një deklarate shprehet se Teatri Kombëtar nuk mund të shembet, është trashëgimi historike dhe arkitekturore unike. “Debati në është i bukur apo jo teatri i ri i projektuar nga B. Ingels, është debat fals. Nuk do të ishte debat fals nëse teatri i ri do të projektohej në një hapësirë të lirë të qytetit, pra jo duke shembur një monument kulture, i cili tashmë ka hyrë në guidat e sugjeruara për turistët si pjesë e itinerarit të detyrueshëm për ata që dëshirojnë të njohin shpirtin dhe atmosferën e kahershme të kryeqytetit (guidë e përgatitur nga Bashkia e Tiranës dhe Instituti i Monumenteve). Teatri ekzistues nuk duhet dhe nuk mund të prishet sepse është trashëgimi historike dhe arkitekturore unike”, shkruan Forumi. Më tej në deklaratë thuhet se ky objekt është unik, qoftë si tipologji për kohën kur u projektua (1938), qoftë si teknikë ndërtimi (el. Heraklit) e me origjinalitet konstruktiv (balloon frame), qoftë si nyjetim volumetrik e zhvillim urban në një parcelë të mirëorganizuar (novacion urbanistik). “Madje teatri ekzistues është unik jo vetëm për arkitekturën, por edhe për historinë e njerëzve, aktorëve dhe ngjarjeve të tij në këto 80-vjet (ngrehina më e vjetër kulturore në Shqipëri, në përdorim të patjetërsuar). Të pretendohet se ngrehina ka probleme sigurie dhe prandaj duhet shembur, është po aq burleske sa të pretendohet se kishat historike me probleme duhen shembur. Restaurimi i këtij kompleksi monumental është sot një “lojë fëmijësh” për ekspertët e fushës ndërsa kostoja e restaurimit, rehabilitimit dhe rivlerësimit bashkëkohor të ngrehinës është e përballueshme nga buxheti i shtetit, pasi në bazë të kalkulimeve të ekspertëve të “Politecnico di Milano”, kushton më pak se sa ka kushtuar stadiumi “Elbasan Arena””, vijon më tej deklarata. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë shkruan se nuk duhet harruar që qendra e Tiranës është shpallur e mbrojtur dhe se VKM-ja është ende në fuqi.

“Nuk duhet të harrojmë se qendra e Tiranës është shpallur e mbrojtur dhe se vendimi i kësaj mbrojtjeje është ende në fuqi përmes VKM-së së famshme të përgatitur nga vetë Rama në prill të vitit 2000, kur ai kishte një vizion ndryshe dhe properëndimor për zhvillimin e shtresëzuar dhe harmonik të qytetit. Pas prishjes së vilave të Bllokut, shembjes së shtëpive borgjeze në rrugën e Elbasanit, kjoskëzimit degradues të Kalasë së Tiranës dhe cungimit të lemerishëm të kompleksit “Nënë Tereza” përmes megalomanisë së stadiumit, ndodhemi të shtangur përpara një krimi kulturor shumëdimensional, për të cilin “fajtorët” do duhet të përgjigjen përpara qytetarëve dhe historisë”, përfundon deklarata e Forumit.