Teatri si monumenti i fundit i qytetit dhe lirive tona. –
Teatri si monumenti i fundit i qytetit dhe lirive tona
Nga: Andi Bushati/Lapsi.al
Përpjekja e pak zërave cilësorë dhe autoritarë, po fatkeqësisht të pakët në numër, në mbrojte të godinës së Teatrit kombëtar është një nga betejat më të rëndësishme që po zhvillohen për të ardhmen.
Ajo nuk mund të shihet vetëm si një çështje aktorësh lapangjozë që shiten dhe blien.
Ajo nuk mund të paraqitet vetëm si një debat mes atyre që duan të renë apo të vjetrën.
Ajo nuk mund të ketë vetëm dimensionin e një ndeshjeje mes mbrojtësve fanatikë të trashigimisë dhe kundërshtarëve të tyre.
Ajo nuk mund të pasqyrohet vetëm si pezëm i nostalgjikëve që duan të përjetësojnë nostalgjinë për Naim Frashërin, Sandër Prosin, Violeta Manushin dhe së fundi Bujar Lakon.
Pro apo kundër saj, nuk mund të jesh vetëm nëse admiron aftësinë përej sekseri të paskrupullt të Veliajt, as se mbështet delirin e ndërthurur me grykësi të Edi Ramës, as se nuk honeps dot Lulin apo Saliun e 21 janarit, apo se s’ke shpresë tel blloku i Ilirit apo Monikës.
Përtej këtyre dasive apo bindjeve qëndron historia e një grabitjeje të madhe. Pas tyre qëndron vjedhja e afro 200 milionë eurove, nga një kompanie private, kliente e kryeministrit, me anë të një ligji antikushtetues të parlamentit. Pas saj qëndron vjedhja, ditën për diell, e një trualli publik, pa garë dhe pa tender dhe ngritja e një mostre pa konkurencë dhe pa konkurs ndërkombëtar.
Kush do që do ta dëgjonte këtë argument mund të ngrinte supet i çuditur: e pse duhet të n’a revoltoka një vjedhje më shumë: a nuk ka ndodhur e njëjta histori në rrugën e kombit, në Gërdec, në privatizimin ne ARMO-s dhe të CEZ?
A nuk ka ndodhur kështu me inceneratorët, me lojrat e fatit, me Chec Upin, me sa e sa koncesione dhe PPP skandaloze?
Edhe ky cinizëm esktrem sado i përligjur të duket për mëkatet që konsumohen përpara syve tanë, nuk është i mjaftë për të justifikuar indiferencën në betejën për teatrin.
Sepse sado i rrënqethshëm të duket krimi ekonomiko –kulturor i shembjes së tij, ai është edhe më shumë sesa kaq.
Sepse godina e dikurshme e rrethit italo shqiptar “Skanderbeg” është barrikada e fundit e për shkatërrimin përfundimtar të kryeqytetit.
Nëse Teatri shembet, pas tij do të bien njëri pas tjetrit sheshi Nënë Tereza që do të mbushet me dyqane dhe kulla të larta përkrah universitetit, hapsira e gjelbër pas ish Sheratonit dhe pylli që ka pas, diga e liqenit që do të jetë e pafuqishme të mbajë presionin e grataçielave e në fund edhe hapsira përrreth sheshit “Skënderbej”, që është konceptuar që tani si shfyrje për rokaqiejt e oligarkëve.
Ky skenar ouruellian nuk do të përfundojë vetëm me vdekjen e Tiranës së jetueshme. Ai do të sanksiononjë njëkohësisht fundin e zbatimit të ligjit prej pushteteve në këtë vend, ai do të farkëtojë një aleancë kriminale mes kryeministrit dhe biznesmenëve që janë të gatshëm të bëjnë çmenduri nën mbrojtjen e tij, ai do të kalçifikojë në një të vetme (ashtu siç janë të gjitha lidhjet e ngjizura në krim) pushtetin e parasë dhe atë të politikës.
Shembja e atij monumenti për të cilin kanë 20 vjet që i parathonë shembjen, që e kanë shpallur vdekjeprurës dhe kanceroz, përtej çdo dasie, është një test për shoqërinë tonë. Nëse ai bie, gjithçka nga kryeqyteti i vjetër që konceptuan italianët do të zhbhet me shpejtësi, por më shumë sesa godinat, një nga një do të rrezohen njëra pas tjetrës edhe garancitë që na mbrojnë nga lidhja fshistoide e mes biznesit dhe politikës.