Telashe për Edi Ramën, Altin Dumani konfirmon se po vazhdojnë hetimet në fshehtësi të plotë për dosjen e “McGonigal” dhe Inceneratorët, ja firmat, përgjimet dhe dëshmitë “përvëluese” që mund të djegin kryeministrin shqiptar
30 Dhjetor 2023
Nga Rigels SELIMAN
Afera “Mcgonigal” dhe ajo e inceneratorëve, duket se po qëndron si “Shpata e Demokleut”, (kjo frazë përdoret për të përshkruar një rrezik kanosës), mbi kokën e kryeministrit Edi Rama.
Paralajmërimin se kryeministri Rama do të përballet me telashe, i ka bërë ditën e djeshme drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, i cili ka zhvilluar një takim informal me gazetarët, ku është pyetur për dosjen “McGonigal”. Më konkretisht kreu i SPAK për dosjen “McGonigal” ku ka dalë edhe emri i kryeministrit Edi Rama, zbuloi se po hetohet.
Gjithashtu për këtë hetim, ai theksoi se kallëzuesit Gazment Bardhi i është kërkuar të ruajë sekretin hetimor. “Ne nuk mund të japim asnjë informacion. Kemi patur një kallëzues (Gazment Bardhi), e kemi informuar për gjithçka që ka kërkuar por i kemi kërkuar të nënshkruajë mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe të mos bëhen publike”, deklaroi kreu i SPAK, Altin Dumani. Por kjo deklaratë duket se është një kambanë alarmi për kryeministrin Edi Rama, për shkak se po hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Kujtojmë se në 24 janar të këtij viti, deputeti Gazment Bardhi depozitoi në SPAK një kallëzim për nisje të hetimeve ndaj Kryeministrit Rama për ato që ai i cilësoi si lidhje me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke thënë se ky i fundit është korruptuar nga Rama për të sajuar lobimin e PD-së me paratë ruse.
Bardhi ka thënë në lidhje me këtë padi se ajo që ka bërë Rama është akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Ish-agjenti i FBI, Charles McGonigal u dënua në gjykatën federale të Manhatanit me katër vjet e dy muaj burg. Gjykatësja e çështjes tha se zoti McGonigal kishte dëmtuar sigurinë kombëtare duke shpërfillur vazhdimisht sanksionet që synonin të ushtronin trysni ekonomike ndaj Rusisë për të arritur rezultate pa forcë ushtarake. Ai u gjobit gjithashtu me 40,000 dollarë.
McGonigal dhe dosja “shqiptare”
Në fillim të vitit të ardhshëm, McGonigal do të mësojë vendimin e drejtësisë edhe për “dosjen shqiptare”. Në gjykatën e Uashingtonit, ai të cilin kryeministri Edi Rama e cilësoi “miku im”, akuzohet për fshehjen e një pagese 225 mijë dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj.
Më herët, McGonigal ka pranuar të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Edi Rama dhe këshilltarin e tij jozyrtar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë. I pyetur nga gjykatësja e çështjes Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor, kishte “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të bërë lobizëm ‘për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”, McGonigal u përgjigj “Po”.
Gjatë seancës McGonigal pranoi se i kishte zhvilluar lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri përmes një mikut të tij, duke iu referuar Nezës, me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja të ndiqte mundësi biznesi dhe përfitimesh në Shqipëri.
Afera e “djegësve”
Ndërkohë ndalur tek inceneratorin e Tiranës, Dumani theksoi se nuk ka fraksion të ndarë, por hetimet vazhdojnë për çdo aktor që ka kryer veprime apo mosveprime, duke mos përjashtuar as kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe kryeministrin Edi Rama, të cilët akuzohen nga opozita se janë “kokat” dhe arkitektët e kësaj afere, duke i e tronditur këtë dyshe.
Madje Dumani theksoi se çdo veprim po verifikohet.
“Është në fazë hetimesh paraprake që vazhdojnë në drejtim të çdo faktori që mund të kenë kryer veprime penale, apo persona të tjerë që kanë patur në duar vendimmarrje. Hetimet po bëhen në kuadër të të njëjtit procedim, jo me fraksion (Pyetje: edhe ndaj Veliajt). Do sqarohet pozita e secilit, çdo veprim po verifikohet”, u shpreh ai. Pyetjes për Mirel Mërtirin e Stela Gugalljan, se po bëjnë përpjekje për të përfituar azil dhe nëse ka veprime lidhur me këtë çështje, iu përgjigj se nuk ka qëndrim refuzimi kërkese për ekstradimi.
“Nuk kemi një komunikim që të na e kenë refuzuar kërkesën e ekstradimit.
Ka patur një qëndrim nga partnerët që janë duke u kryer procedurat e ekstradimit të personave në fjalë”, tha ai. Po ashtu, zoti Dumani u pyet edhe për faktin se Mirel Mërtiri kallëzoi në SPAK prokurorin Klodian Brahon. “E kemi marrë kallëzimin me postë nga personi në fjalë. Çështja po trajtohet njëlloj si çdo çështje tjetër me seriozitet të plotë. Askush nuk është imun as në radhët tona përfshirë edhe unë”, nënvizoi Dumani, duke paralajmëruar tërmet për politikanët e korruptuar dhe inkriminuar, si dhe “kokat” e krimit të organizuar, se i kanë ditët e numëruara, pasi do të përballen me darët e drejtësisë nëse kanë abuzuar e janë përfshirë në zullume.
Gazeta Sot