Tempull Pagan: -Nivice, Një mur rrethor ku banorët ndezin qirinj apo bëjnë kurban.
– Në një kodrinë të rrethuar me një pyll lisash, i mbiquajtur “Maja e Seferajve”, ku të ofrohet një pamje e rrallë e Kanioneve të Nivicës dhe malit të Këndrevicës, një shesh i madh i shtruar me pllaka guri dhe i rrethuar nga 5 lisa madhështorë, duhet të ketë qenë vendi i ritualeve të lashta.
Një mur rrethor ku banorët ndezin qirinj apo bëjnë kurban duke spërkatur vendin me gjakun e flive.
Ndoshta ky vend mund të jetë tempulli i fundit ku ende misteri i lisit adhurohet.
Vendi përqark i mbushur me “Gurë Rrufeje” saktësisht një vend ku Zeusi hidhte flakën e tij. Rreth 500 metra larg në 1978 u zbulua statujëza antike e Zeusit të Nivicës, i datuar diku në shek V-IV p.k .
Të jetë kjo një Dodonë e dytë? “Ka shumë mundësi që edhe ky tempull të ketë qenë i dedikuar mistereve të interpretimit të zhurmës së gjetheve të lisave të shenjtë nga priftërinjtë e Orakullit të Lisave ,”Selenjtë” që flinin përtokë me këmbët e palara” shpjegon studiuesi Auron Tare.
Më poshtë këtij tempulli, një vend tjetër i shenjtë është dhe Qisha (kisha) e Vinjës, ndoshta një kapele paleokristiane.
E pamundur të gjesh një tjetër pejsazh të mbushur me kaq shumë histori ku shekujt nuk ndjekin njeri-tjetrin, por thjeshtë bashkëjetojnë”, përfundon komentin e tij Tare./