Tensione gjatë natës, studentët e Juridikut dhe Ekonomikut përplasen me policinë private, rrine gjithe naten ne fakultet.
Tensione gjatë natës, studentët e Juridikut dhe Ekonomikut përplasen me policinë private, rrine gjithe naten ne fakultet.
11janar 2019.
Është tensionuar situata tek Fakulteti i Drejtësisë gjatë orëve të vona të natës. Policia private që ruan ambientet e Fakultetit ka ndërhyrë duke hequr bankat e vendosura nga grupi i studentëve gjatë ditës për të bllokuar korridoret me synim për të mos lejuar studentët e tjerë që të hynin në auditorë për të bërë mësim.
Ndërhyrja e policisë ka sjellë tensionimin e situatës dhe përplasjen e efektivëve privatë me studentët. Këta të fundit kundërshtuan veprimin e policisë dhe vendosën të qëndrojnë gjithë natën në auditorë.
Ata u shprehën se kanë zgjedhur bojkotin dhe ngujimin në fakultete si formë proteste për realizimin e kërkesave të tyre pasi hoqën dorë nga protestat përpara Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit.
Pasi kanë larguar bankat nga korridoret dhe për rrjedhojë kanë hapur dyert, policia private është larguar nga ambientet e brendshme të Fakultetit Juridik.
Tensione te Ekonomiku mes studentëve dhe policisë: Na kanë goditur
Fakulteti Ekonomik
Studentët e Fakultetit të Ekonomikut janë ngujuar brenda ambienteve të Universitetit dhe kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre. Raportohet se policia ka ndërhyrë për t’i nxjerrë jashtë me forcë, por ka hasur në rezistencën e studentëve.
Ata janë përplasur fizikisht me forcat e policisë dhe nuk kanë pranuar që të largohen nga fakulteti.
Po ashtu ka ndërhyrë dhe policia e shtetit, ku efektivët kanë tërhequr me forcë studentët.
“Policët kanë kapur studentët dhe i kanë goditur në vend se të na mbrojë. Policia nuk lejohet me ligj të vijë këtu”, u shpreh një studente.
“Pati dhunë, shtyrje, dhe terror nga policia. Nuk treguan mëshirë as për vajzat. Kanë sjellë policinë dhe sigurinë në Fakultet”, tha një tjetër studente.