Tensionet në veri të Kosovës, protestuesit serbë përplasen me KFOR, 25 ushtarë të plagosur! NATO: – Sulmet të papranueshme
30 Maji 2023
Policia e Kosovës deklaroi mbrëmjen e sotme (29 Maji) se vijon të jetë e tensionuar situata sidomos në Zveçan ku pati përleshje të dhunshme mes ushtarëve të KFOR dhe protestuesve serbë.
Prej mëngjesit grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para zyrës së komunës për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarë, u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s.
Përplasjet filluan pasi ushtarët e KFOR-it u bënë thirrje serbëve që t’u hapin rrugën dy makinave të forcave të posaçme të policisë së Kosovës. Protestuesit serbë hodhën gaz lotsjellës, gurë e mjete të tjera të forta mbi pjesëtarët e NATO-s.
KFOR deklaroi se deri tani janë 25 ushtarë të KFOR të plagosur mes tyre ushtarë italianë dhe hungarezë
“Ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez kanë pësuar lëndime me thyerje dhe djegie nga shpërthimi i mjeteve shpërthyese” informon NATO në një deklaratë për median duke nënvizuar se sulmet ishin të paprovokuara. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk ishin të pranishëm në momentin e ndërhyrjes në Zveçan, shkruan REL.
Nga 11 ushtarët italianë të plagosur, 3 janë më rëndë, por janë jashtë rrezikut për jetën deklaroi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani. Policia e Kosovës deklaroi se janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre
NATO bëri thirrje të ndalet dhuna e paprovokuar dhe i quajti sulmet të papranueshme.
Edhe ndërkombëtarët kanë dënuar dhunën dhe i kanë bërë thirrje Albin Kurtit të ndalë veprimet e njëanshme. Kryeministri Rama i bëri thirrje Albin Kurtit të dëgjojë me vëmendje aleatët dhe të mos futet më thellë në një shteg të rrezikshëm.
Sot pasdite reaguan dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila tha se tensionet në veri po shkaktohen “nga strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale” të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Osmani dënon dhunën në veri, dhe akuzon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç për destabilizimin e veriut të vendit. “Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë” deklaroi presidentja e Kosovës.
Nga ana tjetër presidenti Aleksandër Vuçiç akuzon Kurtin se ka vetëm një dëshirë – të shkaktojë konflikte në Kosovë dhe të shkaktojë një konflikt të madh ndërmjet serbëve dhe NATO-s, e të çojë në gjakderdhje në të gjithë rajonin. “Ai që është i vetmi, për tu fajësuar për gjithçka që po ndodh” deklaroi Vuçiç pasditen e sotme. Ai deklaron se janë mbi 50 qytetarë serbë të lënduar.
Gjatë orëve të pasdites kryeministri Kurti është takuar me ambasadorët e QUINT-it por dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier i cili tha se Shtetet e Bashkuara “dënojnë fuqishëm veprimet e dhunshme të protestuesve sot në Zveçan, duke përfshirë përdorimin e eksplozivëve, kundër trupave të KFOR-it që kërkojnë të ruajnë paqen. Ne përsërisim thirrjen tonë për ndalimin e menjëhershëm të dhunës ose veprimeve që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, shkroi ai.
Prej mëngjesit të sotëm, 29 maj dhjetëra serbë u mblodhën para godinave të komunave që tanimë drejtohen nga kryetarë shqiptarë dhe tentuan të hyjnë me dhunë brenda tyre.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç nëpërmjet një deklarate për televizionin shtetëror u shpreh se shqiptarët nuk mund të jenë kryetarë të komunave me shumicë serbe. Raportuesja për Kosovën në parlamentin Europain Viola Con Cramon në një konferencë tha se Qeveria e Kosovës po rrezikon shumë me këto manovra në veri.“Natyrisht, kryetarët e zgjedhur janë zgjedhur në mënyrë ligjore. Por, kjo nuk do të thotë se ata kanë legjitimitetin për të hyrë në këto objekte dhe të kenë qasje me forcë. Askush nuk mund të udhëheqë me një apo dy për qind të votave”.- tha Cramon.
Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 maj, pasi krerët e mëhershëm komunalë nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i njeh kryetarët e rinj.
Gazeta Shqiptarja.com