“Tensionet po rriten”, NATO paralajmëron trazira në Kosovë: Situata e sigurisë, rrezik përkeqësimi
12 Korrik 2024
NATO-ja dhe forca e saj paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, paralajmërojnë një përkeqësim të mundshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.
“Në NATO, ne jemi të mendimit që zgjidhja dhe stabilizimi në të ardhmen i situatës së sigurisë do të varet plotësisht nga zgjidhjet politike. E kemi theksuar vazhdimisht nevojën për dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe angazhim konstruktiv diplomatik. Po ashtu kemi theksuar nevojën për shmangien e veprimeve të njëanshme që mund të provokojnë incidente sigurie,” u tha gazetarëve një zyrtar i NATO-s, i cili foli për situatën e sigurisë në Kosovë, ku NATO ka misionin më të madh dhe më të gjatë paqeruajtës në botë, me kusht që të mos identifikohet me emër.
Sipas zyrtarit të NATO-s, “është për të ardhur keq që angazhimi në dialog nuk ka prodhuar marrëveshje apo çuar drejt thellimit të dialogut dhe kjo nënkupton që tensionet në terren vazhdojnë të kenë pasoja për sigurinë.”
“Ne vazhdojmë … t’i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë sa më konstruktive dhe më të dobishme, sepse e vetmja zgjidhje e vërtetë e situatës është zgjidhja politike,” shtoi ai.
Paqeruajtësit e NATO-s në Kosovë kanë shtuar kapacitetet e tyre, duke rritur numrin e ushtarëve nga 3700 në 4600 paqeruajtës, që përbën shtimin më të madh të forcave të NATO-s në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në kuadër të masave të tjera konkrete, sipas zyrtarit, trupat e NATO-s po ashtu kanë katërfishuar praninë e tyre në pjesën veriore të Kosovës dhe kanë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Top Channel