Teqeja e Koshtanit, pasuri kulturore 200-vjeçare
3 Korrik 2024
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër inspektoi Teqenë e Koshtanit, pranë Memaliajt, me qëllim hartimin e një projekti të plotë restaurimi për këtë pasuri kulturore.
Teqeja e Koshtanit është një objekt kulti, Monument Kulture, Kategoria I. Sipas Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, teqeja është më shumë se 200-vjeçare.
Teqeja është një ndërtim me mur guri 2-katësh mbuluar me çati me rrasa guri, me një shtrirje planimetrie në formën “T”. Në vitin 2009 i është bashkëngjitur edhe ballkoni i hyrjes me shkallë guri të jashtme.
Teqeja e njohur e Koshtanit në Tepelenë, është një nga objektet e rëndësishme të bektashizmit, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon e më gjerë.
Kjo teqe zë një vend të rëndësishëm jo vetëm si një qendër e edukimit të besimtarëve e përhapjen e këtij besimin në Jugun e Shqipërisë, por dhe si një qendër atdhetare dhe e arsimimit shqip. Më 15 tetor të vitit 1908, në këtë teqe, është çelur e para shkollë shqipe për Tepelenën.
Teqeja e Koshtanit, me një konstrukt të veçantë si objekt, me dhoma të bollshme, mejdanin, dhomën e pritjes e bisedave, ashefin, kuzhinën, mensën, dhomat e fjetjes etj, ka qenë në kohëra edhe një qendër e pasur ekonomike.
Nga OraNews