TËRËSITË URBANE KULTURORE-HISTORIKE

Author: Gazmend Citaku

Ulqin. Është e vështirë të besohet se te ne, në shekullin XXI gjendja e vakëfeve dhe e fondit të trashëgimisë kulturore të jenë në gjendje të mjerueshme. Ulqini si një vend shumë i moçëm është mjaft i pasur me monumente të tilla të trashëgimisë kulturo-historike por as Ulqini e as shteti me institucionet e tij, nuk janë në gjendje, të kujdesen për to, por as të mbledhin të dhëna: kush i ndërtoi, pse i ndërtoi, kur i ndërtoi, nga e kanë sjellë materialin ndërtimor dhe a kemi sot nevojë për ta?

Po marrim si shembull Kronin e Ballos[1] që është një krua i cili nuk dihet se kurë dhe nga kush u ndërtua. Emri Ballo të shtyn të mendosh se kemi të bëjmë me emrin e mbretit ilir Ballaios[2] i cili ka mbretëruar këtyre anëve pas vdekjes së Mbretëreshës Teutë pra shek. II-I p.e.re. Emri Ballo është emër ilir shumë i përhapur dhe pse jo përmes këtij kroi ka mbijetuar deri në ditët e sotme kurse në Ulqin e hasim këtë emër edhe në dy raste tjera si toponim, Vani i Ballos dhe Lugu i Ballos.[3] Por, për fat të keq, asgjë më tepër nuk dimë.

Kroni i Ballos, lidhet me emrin ilir Ballo, Mbreti Ballaios

Sa i përket vendit ku ndodhet ky krua, që dikur është quajtur Lugu i Ballos, kurse sot është pjesë urbane e qytetit gjegjësisht e lagjes Meraja dhe padyshim se në kohën kur është ndërtuar ky krua, 2000 apo 200 vjet më parë pa marrë parasysh, aty nuk ka pasë shtëpi por është ndërtuar në një lug që dikur ka lidhur rrugët të cilat vinin nga drejtimi i kalasë së Ulqinit për në Gjerana, Shkodër dhe Tivar. Jo vetëm në këtë rrugë por në të gjitha rrugët që janë nisur nga Kalaja për në lagje të ndryshme të qytetit kemi pasë shumë kroje. Po përmendim disa drejtime rrugësh. P.sh. rrugën nga Kalaja për në Valdanos, për në Gjerana dhe për Zallë ose siç i thonë sot “Plazhi i Madh”. Pra, poqë se nisemi këmbë nga Kalaja dhe paramendojmë se ecim përgjatë rrugës së dikurshme për të shkuar në Gjerana doemos duhet kaluar nga Kroi i Ballos. Andaj, sot në bazë të të dhënave të mbledhura nga studiuesi ulqinak prof. dr. Maksut Haxhibrahimi[4] dhe faktet e mbledhura drejtpërdrejt në terren mund të numërojmë këto kroje që dikur kanë ekzistuar përgjatë kësaj rruge së bashku me ata që i kanë mbijetuar dhëmbit të kohës. Fillojmë nga kalaja me Kroin e Skurës, Kroi i Pashës ke xhamia me po të njëjtin emër por që sot nuk ekziston, Kroi i Haxhi Dautit sot nuk ekziston, Kroi me shkalla u mbyll pas tërmetit 1979 dhe u rihap diku në vitin 2009, Kroi i Kasapve sot krejtësisht i ri, Kroi i Ballos dhe vazhdojmë rrugës për në Gjerana me Kroin e Kajushit, Kroi i Shurdhajve, Kroi pa emër (jo që nuk ka emër por që autori nuk e ka të saktë emërtimin e tij), Kroin Ujk (kështu e quan miku im Samiu) dhe del në Zallë. Në Gjerana është edhe Pusi i Barishnjeve dhe një numër tjetër i puseve. Nga kjo që numëruam mund të vijmë në përfundim se rrugën këmbësore Kala-Gjerana-Zallë, në një gjatësi prej 5 km arritëm të numërojmë 10 kroje. Pra, çdo 500 m udhëtarët kanë pasë mundësi që të ndalen dhe të freskohen në krojet që kanë ekzistuar dikur.

Tërësia ambientale ke Kroni i Ultimit (Çinarit). Rrapi (Çinari) shekullor, Kroi, Pusi, Ura shekullore, prroi, vegjetacioni

Shtrohet pyetja pse u ndërtuan? Përgjigjja është e thjeshtë, ulqinakët si detarë të shkathtë dhe tregtarë të mirë shumica prej tyre ishin edhe mjaftë të pasur andaj dëshironin që një pjesë të pasurisë së vet ta shndërronin në të mirë të përgjithshme duke ndërtuar xhami, puse, kroje, rrugë etj. Kështu për të gjitha xhamiat e Ulqinit dihet se kush ishin ata ulqinakë që ka ndarë nga pasuria e vet dhe i kanë ndërtuar. Gjithashtu dihet edhe për krojet që kanë qenë në numër mjaft të madh në këtë qytet andaj ata edhe mbajnë emrat e tyre. Duke e ditë se prapavija e Ulqinit është e pasur me tokë pjellore të pasurit kishin toka dhe ullishta ku punonin vegjëlia andaj duke e ditë se ujë do të thotë jetë kjo ishte edhe arsyeja pse rrugëve për në këto drejtime ka kroje në numër të madh të cilat i kanë ndërtuar ulqinakët në mënyrë që të kujtohen gjithmonë nga gjeneratat tjera përmes bamirësisë së tyre.

Kroi i Ballos por edhe po thuaj të gjitha krojet që janë ndërtuar në të kaluarën nuk kanë qenë vetëm kroje të rëndomta por ata kanë përfaqësuar tërësi ambientale kulturo-historike ku janë përputhur dhe përshtatur ambientit. Çka mendojmë me këtë? P.sh. Kroi i Pashës i ka takuar tërësisë ambientale kulturo-historike të Xhamisë së Pashës i cili përveç xhamisë përfshinë edhe hamamet, Kroin e Pashës, tyrben si dhe pushimoren, vazhdojmë me Kroin e Begut në ullishtë i cili ka një hapësirë të madhe pushuese në ambientin e ullishtës mijëvjeçare apo Kroi i Ultimit sot i njohur si Kroi i Çinarit gjendet në një ambient me vegjetacion të bujshëm që së bashku me rrapin shekullor, urën shumë të vjetër, pusin e Ultimit si dhe hapësirën pushuese kanë qenë pjesë përbërëse të kompleksit ambientalo-kulturor dhe i cili kohë më parë duke dashtë që të urbanizohet është devastuar e gjithë tërësia ambientale. Me qëllim e potencojmë tërësi ambientale sepse aty nuk ka qenë vetëm kroi por edhe pusi, ura shekullore, rrapi, pejsazhi.

Kroni i Begut në ullishtën mijëvjeçare të Ulqinit

Çka mund të bëjmë?

Së pari duhet të evidentohen dhe të bëhet Plani i Punës. Pastaj të shpallen, një nga një, Konkurse për të kërkuar idetë dhe mundësitë më të mira për revitalizimin dhe zhvillimin e këtyre projekteve. Meqë pushteti lokal dhe ai shtetëror janë të paaftë dhe të pa interesuar të punojnë në këtë drejtim, duhet që diaspora jonë (meqë ata kanë mundësi) të angazhohet në mënyrë që hap pas hapi dhe një nga një të ndihmojnë në financimin e revitalizimit dhe adaptimit të këtyre monumenteve dhe tërësive ambientale. Sipas mendimit tim, nëse ata (diaspora) janë të interesuar për financim, atëherë përmes tyre shpallet konkursi për zgjidhje ideore dhe implementimi duhet bërë përmes një eksperti nga jashtë (që nuk ka lidhje me Ulqinin dhe Malin e Zi) por që ai duhet të ketë referenca të mira dhe të ketë eksperiencë në këso lloj punësh. Përndryshe, nëse ndërhyn dora jonë atëherë do t’i zhdukim dhe do t’i bëjmë të paqena jo pse ashtu dëshirojmë por pse nuk dimë se si duhet vepruar e kësaj i shkon në favor edhe ajo se kemi institucione të paafta të cilat nuk veprojnë as në ndërtim, as në parandalim e as në sanim. Pra, në mënyrë që këto tërësi ambientale mos të kenë fatin e kalldrëmit në kala, të Kroit të Ultimit (Çinarit) e pse mos të përmendet edhe fusha e Ulqinit atëherë duhet angazhuar një ekspert ndërkombëtar i cili do të udhëheq deri në fund këto projekte.

Botuar në “Koha Javore” nr.980, 30 shtator 2021

[1] Themi Kroni I Ballos meqë në këtë rast kemi të bëjmë me toponim dhe shkruajmë ashtu siç e thonë banorët. Të njejtën gjë do ta përsërisim te të gjitha toponimet tjera që kanë të bëjnë me lokalitete ku gjenden krojet.

[2] Gazmend Çitaku, Udhëtim nëpër kështjellat ilire në Mal të Zi, Ulqin, 2019, fq. 15.

[3] Dr. Bahri Brisku, Gjurmime shqiptare, Tiranë 1994, fq. 13.

[4] Prof. Dr. Maksut Haxhibrahimi, Toponimia e Ulqinit dhe rrethinës, Ulqini 2001, fq.40-43