Tërmeti dëmtoi dy Kalatë, Ministria bën thirrje: – Ndalohet rreptësishtë hyrja, ruani jetën tuaj
Tërmeti dëmtoi dy Kalatë, Ministria bën thirrje: – Ndalohet rreptësishtë hyrja, ruani jetën tuaj
29 dhjetor 2019
Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 të shkallës rihter nuk ka lënë pa pasoja dhe monumentet e kulturës. Ministria e Kulturës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin hyrjet në Kalanë e Krujës dhe në atë të Prezës, të cilët u dëmtuan rëndë nga lëkundjet sizmike.
Në një njoftim për mediat thuhet se Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Tiranë kërkon nga vizitorët që hyrja në këto kala është rreptësishtë e ndaluar për sigurinë e jetës së tyre.
“Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë lajmëron se tërmeti i 26 Nëntorit ka shkaktuar dëme të rënda në monumentet e kulturës së zonës, sidomos në Kalanë e Prezës dhe të Krujës. Hyrja në këto Kala është rreptësishtë e ndaluar në radhë të parë për të garantuar jetën tuaj dhe për të mos dëmtuar më shumë monumentet.
Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Kulturës Kombëtare Tiranë, nuk janë përgjegjëse për çdo pasojë nga thyerja e këtij udhëzimi. Ruajeni jetën tuaj”, thekson Ministria e Kulturës.
Gazeta Panorama