Tërmeti në Korçë. – Si premtimet e Edi Ramës i treti koha

Dhjetor 9, 2019

Banorët e fshatrave të Korçës ankohen se premtimi i kryeministrit Edi Rama se ‘të gjitha banesat e rrënuara nga tërmeti i qershorit do të rindërtoheshin’ po harrohet nga administrata, ndërkohë që dhjetra banorë vazhdojnë të qëndrojnë në çadra dhe kontenierë.

Pas tërmetit 5.3 ballë të shkallës Rihter që goditi zonën e Korçës më 1 qershor, kryeministri Edi Rama u zotua që shtëpitë e shpallura të pabanueshme në fshatrat Flloq dhe Qafëzezë do të rindërtoheshin plotësisht, ndërkohë ato të dëmtuara pjesërisht do të dëmshpërbleheshin nga shteti.

Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti në fshatin Floq. Foto Dhorjeta Çule.

“Të gjitha banesat do të rindërtohen,” tha Rama me shkronja kapitale në Facebook, ndërsa shpërndau më 3 qershor një video të zëdhënëses së qeverisë, Elisa Spiropali në takim me banorët. “Pas inventarit të dëmeve, nis shumë shpejt dëmshpërblimi dhe rindërtimi për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore,” shtoi në atë kohë kryeministri.

Megjithatë, 7 muaj pas tërmetit, një pjesë e banorëve të fshatrave Qafëzezë, Floq e Vidohovë luten që dimri të mos ketë reshje bore, sepse shumë prej tyre ende nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje për dëmet që pësuan nga tërmeti.

Pas tërmeteve që goditën Shqipërinë e Mesme në shtator dhe atij vdekjeprurës së 26 nëntorit, që la pas mijëra të pastrehë, banorët e fshatrave të Korçës druhen së fatkeqësia e tyre natyrore – më e vogël në përmasa – do të zhduket nga vëmendja e autoriteteve.

Në tre fshatrat e prekur nga tërmeti në qershor janë ndërtuar disa banesa të reja dhe janë rikonstruktuar dhjetra të tjera, që i dhanë zgjidhje strehimit të disa familjeve të prekura. Megjithatë, bilanci i dëmeve të këtij tërmeti përcaktoi mbi 100 shtëpi të pabanueshme dhe më tepër se 500 të tjera të dëmtuara në nivele të ndryshme, ndërsa një tjetër lëkundje sizmike që u shënua në 1 nëntor e rëndoi më tej gjendjen e disa banesave.

Festim Çaushi para shtëpisë së tij të dëmtuar në fshatin Qafëzez. Foto Dhorjela Çule.

Përveç shtëpive të premtuara për rindërtim, në qarkun e Korçës janë 553 familje të dëmtuara nga tërmeti i 1 qershorit, të cilat sipas ligjit duhet të dëmshpërblehen në masën 50% të dëmit të pësuar në banesat e tyre. Megjithatë, banorët ankohen se kompensimi ende nuk u është dhënë, duke i lënë ata në pamundësi për të riparuar shtëpitë e tyre.

Prefekti i Korçës, Dhori Spirollari i tha BIRN se në fshatrat e prekur janë ndërtuar 37 banesa dhe 80 të tjera i janë nënshtruar rikonstruksionit. Prefekti pranoi megjithatë se asnjë prej kompensimeve të premtuara nuk është shpërndarë, ndërkohë që nuk ka një afat se kur do të nisë ky proces.

“Ende janë duke u bërë verifikimet e dosjeve nga Agjencia e Emergjencave Civile. Ka qenë një proces që zgjati, pasi në disa raste janë kthyer për rishqyrtim nga grupet e ekspertëve, pasi kemi pasur edhe ankesa ose pretendime nga banorët e dëmtuar,” tha Spirollari për BIRN.

“Do të jenë bashkitë ato të cilat do të lëvrojnë fondet në masën 25% për kompensimin, ndërsa 25% tjetër i vlerës do të jepet nga ministria përkatëse,” shtoi ai.

Në Vidohovë e Qafëzezë, banorët e mbetur pa një çati mbi kokë si pasojë e tërmetit vazhdojnë të jetojnë në çadra dhe kontenierë. Në Floq, fshatin që prej muajsh është kthyer në një kantier ndërtimi, një familje është në pritje të përfundimit të shtëpisë, një e dytë i kalon netët në kasolle, ndërsa qindra banorë presin ende kompensimin e dëmit, vlera e të cilit është shënuar vetëm në letra.

Në fshatin Floq, ku dëmtimet ishin më të shumta, 88 banesa u klasifikuan si të dëmtuara rëndë nga të cilat 18 u ndërtuan nga e para, 19 iu nënshtruan rikonstruksionit, ndërsa për 51 banesa të tjera u përcaktuan vlera financiare për kompensimin e dëmeve.

Shtëpia e dëmtuar e Luiza Elezit në fshatin Floq. Luiza thotë se ende nuk është kompensuar për dëmin. Foto Dhorjela Çule.

Banorët i thanë BIRN se një pjesë mbeten të pasistemuar dhe 51 familje nuk e kanë marrë ende kompensimin. Disa prej tyre pohojnë se janë detyruar të paguajnë edhe vetë një pjesë nga shpenzimet e nevojshme për ndërtimin apo rregullimin e banesave. Të tjerë nuk kanë mundur të bëjnë asnjë lloj riparimi, pasi nuk kanë mundësi financiare.

Familja Pelivani është e fundit që ka mbetur në shkollën e fshatit; që për muaj të tërë u shërbeu si strehë këtyre familjeve. Banesa e saj nuk është përfunduar ende, ndërsa Arjana Pelivani pohon se disa shpenzime për blerjen e materialeve është detyruar t’i paguajë vetë, pasi firma nuk i mbulonte të gjitha.

“Kemi blerë rërë, gozhdë, ullukët, benzinë për betonieren etj,” tha ajo. “Të gjitha mobiljet, elektroshtëpiaket dhe çdo gjë na u dëmtuan. Edhe ato që i nxorëm nga shtëpia, na u kalbën nga shirat,” shtoi ajo.

Më e vështirë është situata në lagjen e poshtme të fshatit, ku familjet u klasifikuan kryesisht për të përfituar kompensimin financiar. Luiza Elezi, nënë e 3 fëmijëve, përlotet teksa lëviz tepsitë dhe enët e tjera të kuzhinës, që i ka vënë nëpër dhomë për të mbledhur ujin e shiut që pikon nga të katër anët.

Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti i qershorit në Vidohovë të Korçës. Foto Dhorjela Çule.

“Prisni- na thonë- t’u vijë radha,” thotë 41 vjeçarja. “Familjes sonë i vlerësuan dëmin e çatisë me 1.7 milionë lekë të vjetra nga të cilat duhet të merrnim 50%,” shtoi ajo, duke nënvizuar  se kati i dytë i shtëpisë është bërë i pabanueshëm.

Në fshatin Qafëzezë, pesë familje jetojnë ende në kontenier, ndërsa të tjerë janë strehuar në ato që më herët i mbanin si magazina për zahiretë e dimrit. Më pak familje vazhdojnë ende të qëndrojnë në çadër. 18 banesa të shkatërruara dhe 71 të dëmtuara ka qenë bilanci i dëmeve të këtij tërmeti në këtë fshat.

Në shtëpinë gati të shembur të Festim Çaushit, një tub i hekurt duket sikur mban të gjithë peshën. Në oborr qëndron ende çadra e emergjencës, ku kalojnë netët bashkëshortja me 3 vajzat, ndërsa Festimi është i detyruar të futet në banesë.

“Nuk e di pse ende nuk na është dhënë një zgjidhje, siç u dhanë të tjerëve. Nuk më kanë dhënë asnjë shpjegim pse më lanë kështu. Janë të paktën edhe 15 familje këtu që i kanë shtëpitë e pabanueshme,” tha Festimi.

“Të tjerëve u kanë premtuar kompensime, por nuk ua kanë dhënë. Unë nuk e di a do ta nxjerr dot dimrin apo jo. As në shtëpi e as në çadër nuk ka siguri për jetën. Dimri do të jetë shumë i vështirë për ne,” shtoi ai.

Në Vidohovë gjithashtu luten që të mos të mbajë dimër i acartë, pasi sipas banorëve, bora e shumëfishon rrezikun për shembjen e shtëpive të dëmtuara. Në këtë fshat, vetëm një familje jeton në çadër, ndërsa disa të tjerë janë sistemuar përkohësisht tek të afërmit. Ka edhe nga ata që kanë marrë përsipër riskun të futen brenda banesave që dukshëm janë dëmtuar rëndë nga tërmeti.

Familjarët e Festim Çaushit i kalojnë ende netët në çadër. Foto Dhurjeta Çule.

Në fillim të nëntorit, nëntë anëtarët e familjes Xhihani u desh të bënin rezistencë dhe refuzuan të dorëzojnë çadrën që ua dhanë më 1 qershor, pasi ndërtesa ku ata jetonin u deklarua e pabanueshme. Ata vazhdojnë t’i kalojnë netët në çadrën që prej muajsh e kanë ngritur në oborrin e shtëpisë, ndërsa përballë saj qëndrojnë ende pirgjet me gurë të asaj që 7 muaj më parë ishte banesa e tyre.

“Këtu bie 1.5 metra dëborë në dimër [dhe] e vetmja lutje që kemi është mos bjerë këtë vit,” tha Valmira Xhihani, duke shtuar “ne rrezikojmë të vritemi si ata në Durrës.”

“Do detyrohemi të hyjmë në shtëpi edhe pse është e pabanueshme, njëra nga dhomat është plotësisht e shembur, ndërsa tjetra ka çarje të thella,” përfundoi ajo.

/Reporter.al/