Tërmeti, Prokuroria: Kemi gati listën e arrestimeve të para

12 dhjetor 2019

25 persona humbën jetën në qytetin e Durrësit, duke mbetur nën rrënojat e ndërtimeve jo cilësore që nuk i mbijetuan tërmetit të 26 nëntorit.

Prokuroria e Durrësit thotë se ka mbledhur provat në çdo pallat të dëmtuar dhe ka bërë gati listën me personat përgjegjës që kanë lejuar ndërtimin e pallateve jo cilësore.

Sipas kësaj prokurorie në ditët e ardhshme do të bëhen arrestimet e para për shkelësit, të cilët do të vihen para drejtësisë.

Prokuroria e Durrësit e nisi në datën 29 nëntor çështjen penale për tërmetin.

Moskryerja e detyrës nga inxhinierët zbatues si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetërorë të ngarkuar me mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve – janë dy nga fushat e hetimit.

Bilanci përfundimtar i tërmetit është 51 të vdekur dhe rreth 1 mijë të lënduar.

Numërohen 261 pallate dhe 2237 banesa të dëmtuara rëndë.

j.l./ dita