Tërmeti/ Rama: S’kemi fuqi punëtore për kantieret, do kërkojmë nga jashtë. –
Tërmeti/ Rama: S’kemi fuqi punëtore për kantieret, do kërkojmë nga jashtë
– 06/12/19
Mëngjesin e sotëm është mbajtur për të nëntën herë radhazi mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë, ku është diskutuar për vështirësitë që vendi po përballet pas goditjes nga tërmeti i 26 nëntorit.
Mbledhja e jashtëzakonshme drejtohej nga kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij është shprehur se pasi të mbyllet procesi i pastrimit, do të nisë puna për ndërtimin e lagjeve të reja të banimit për banorët e prekur, ndërsa vuri theksin tek mungesa e fuqisë punëtore.
Kryeministri deklaroi se në vend duhen mijëra punëtorë kantieri gjë, e cila sipas tij nuk përmbushet në Shqipëri, e për këtë arsye duhet bërë kërkesa nga jashtë. Po ashtu, Rama tregoi edhe disa opsione, ku mund të ndërtohen lagjet e reja, si në Kombinat, 5 Maji, apo dhe në ish-Uzinë e Auto-traktorëve.
“S’ka asnjë provë që fshihet. Të gjitha ato hot-spotet për të mbyllur ngjarjet, dhe aty ku fillon pastrimi janë mbyllur nga pikëpamja e hetimit. Leja, fotografimi i situatës, ndaj s’ka asgjë të kësaj natyre. Duhet bërë dhe lista e firmave të ndërtimit, bazuar në këtë test, që do të jenë short-testimin për të marrë pjesë në programin e ndërtimit. Procesi i ndërtimit kërkon fuqi të madhe punëtore. Nga eksperienca dhe çfarë kam parë nga kompanitë, kemi probleme në fuqitë punëtore në ndërtim. Duhet përfituar që të kërkojmë fuqi punëtore të huaj, në rast se del nevoja për fuqi punëtore. Duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë. Në datën 19 duhet të kalojë paketa për aksesin në fuqi punëtore, që kompanitë të marrin nga jashtë. Do nisim punën në Laç për t’i hapur rrugën këtij procesi. Ia kemi kërkuar që të nisë puna kompanisë turke ku presidenti turk ka dhënë pëlqimin për të ndërtuar 500 apartamente. Do vijojmë ndërhyrjen dhe në Durrës, në vijën bregdetare. Tirana në zonën e ‘5 Majit’ duhet rishikuar në funksion të situatës një plan i kahershëm që kemi pasur. Pallatet e vjetra në Kombinat duhet të hidhen në tokë, dhe ato pallatet sovjetike. Aty kemi një pol të ri për të ndërtuar, tek ‘5 Maji’, apo dhe te ish-Uzina e Auto-traktorëve. 4949 banesa janë dëmtuar në Durrës në total. 6121 në Tiranë. 1171 në Durrës të pabanuara dhe 660 në Tiranë, këtu kemi mbyllur pjesën e bonusit. Në Durrës duhet të mendojmë mirë pasi nuk ka apartamente, janë të shitura. Duhet të mendojmë që t’i spostojmë nga hotelet në janar në shtëpi me qira.”, -tha Rama.
/Opinion.al