Testi i ri, zbulon pacientët me Covid-19 brenda një minute

28 tetor 2020

Shkencëtarët britanikë thonë se do të kenë gati së shpejti testin që vetëm me anë të frymës dhe brenda një minute, mund të identifikojë njerëzit me Covid-19. Testi i ri do të përdorë gjurmën e frymës për të bërë dallimin mes Covid-19 dhe sëmundjeve të tjera respiratore si astma apo gripi i zakonshëm.

Krijuesit thonë se identifikon përbërësit kimikë të njohur ndryshe si “bio-shënues” me të cilët është e pasur fryma e njerëzve me Covid-19, dhe jo ato të sëmundjeve të tjera respiratore.

I krijuar si pjesë e një projekti të quajtur TOXI-Triage, testi kërkon shumë më pak ndërhyrje sesa dy mënyrat e njohura për detektimin e Covid-19, si testi PCR i detektimit të antigjenëve dhe ai i marrjes së mostrave të lëngut trupor ose tamponi.

Ky i fundit ka shkaktuar shpesh dëmtime të mukozës së gojës e hundës së të testuarve, apo dhe lëndime më të rënda nëse nuk kryhet me kujdesin e duhur.

Kërkuesit thanë se metoda e tyre do të përmirësonte eksperiencën e testit të koronavirusit dhe do të luante një rol në rinisjen e ekonomisë.

“Të dyja testet aktuale për zbulimin e Covid-19 përdorin metoda invazive (ndërhyrëse) për marrjen e mostrave”, thotë Emma Brodrick e studiuesve Imspex Group në Cardiff të Britanisë.

Studiuesit shpresojnë që zhvillimi të marrë vlerësim për lejimin e diagnozës së shpejtë të Covid-19 para muajve të gripi sezonal.

o.j/dita