Thatësira në Mosul nxjerr në sipërfaqe gjurmët e qytetit parahistorik
Meqenëse Iraku është një nga vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike dhe meqenëse rajoni i tij jugor ishte ndikuar nga thatësira ekstreme, rezervuari i Mosulit u përdor për ujitje emergjente për të mbajtur gjallë të korrat.
Universiteti i Freiburgut, i cili njoftoi gjetjen, përdori fondet e mbledhura nga fondacioni “Fritz Thyssen” për të financuar punën. Institucioni ka sqaruar se duhej të përfundonte punën shpejt, pasi ishte e paqartë se sa shpejt do të rimbushej uji. Puna u krye në periudhën janar-shkurt.
Studiuesit ishin në gjendje të rindërtonin një plan të qytetit. Ata gjetën një fortifikim të madh me një mur dhe kulla, një ndërtesë magazine shumëkatëshe dhe një kompleks industrial.
“Ndërtesa e madhe e magazinës është e një rëndësie të veçantë, sepse duhet të ketë depozituar sasi të mëdha mallrash që ndoshta janë sjellë nga i gjithë rajoni”, ka thënë në një deklaratë Ivana Puljiz, një arkeologe në Universitetin e Freiburgut.
Për shkak se qyteti u shkatërrua nga një tërmet, duke bërë që pjesët e sipërme të strukturave të varroseshin në zonat poshtë tyre, muret e ndërtesave me strukturë llaçi u zbuluan në një gjendje të ruajtur mirë, pavarësisht se ishin nën ujë për më shumë se 40 vjet.
Për më tepër, ekipi gjeti pesë enë qeramike me një arkiv prej më shumë se 100 pllakash që datojnë nga periudha e mesme asiriane. Disa pllaka balte janë ende në kallëpet e tyre origjinalë prej balte. Studiuesit shpresojnë se do të ofrojnë kontekst për fundin e qytetit të periudhës Mittani dhe fillimin e sundimit asirian në rajon.
“Është afër një mrekullie që pllakat e bëra nga argjila e papjekur mbijetuan kaq shumë dekada nën ujë,” ka thënë në një deklaratë Peter Pfälzner, një arkeolog nga Universiteti i Tübingenit.
Ndërtesat e gërmuara u mbuluan me fletë plastike të shtrënguara dhe u varrosën nën zhavorr për të parandaluar ndonjë dëmtim të mëtejshëm nga uji në vend.
Që nga gërmimi vendi është zhytur plotësisht përsëri.
Folegj: Kompleksi i qytetit përfshin një pallat që ishte zbuluar më parë në vitin 2018, si dhe disa ndërtesa të mëdha që mund të përbëjnë qendrën e qytetit Zachiku. Studiuesit besojnë se mund të ketë qenë një vend i rëndësishëm nën Perandorinë Mittani (rreth viteve 1550–1350 para erë sonë), e cila kishte kontroll mbi pjesë të mëdha të Mesopotamisë Veriore dhe Sirisë
Gazeta Koha, Prishtine