Thellohet bilanci i viktimave nga zjarri në spitalin Covid në Tetovë, shkon në 14 numri i të vdekurve. Prokuroria: Disa trupave do iu bëhet ADN-ja

09 Shtator 2021

Thellohet bilanci i viktimave nga zjarri që ra mbrëmë në Tetovë në spitalin modular ku trajtoheshin të sëmurët me covid. Sipas Prokurorisë Themelore Publike të Maqedonisë së Veriut, deri më tani janë konfirmuar 14 viktima, ndërsa thuhet se në mesin e tyre nuk ka nga stafi mjekësor. Ndër të tjera bëhet e ditur se numri i viktimave edhe mund të rritet.

Prokuroria thotë se për kryerjen e hetimeve në lidhje me rastin tragjik në Tetovë janë angazhuar pesë prokurorë.

“Në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë për Punë të Brendshme, inspektimi filloi menjëherë. Prokurorët kanë lëshuar urdhra autopsie dhe kanë identifikuar trupat e 14 personave të vdekur në zjarr, dhe po shqyrtojnë nëse ka të vdekur të tjerë. Disa nga të vdekurit do të kenë nevojë për analiza të ADN-së për të përcaktuar identitetin e tyre. Sipas informacioneve fillestare, nuk ka personel mjekësor në mesin e të vdekurve. Deri në orët e para të mëngjesit, prokurorët morën në pyetje stafin në spitalin modular për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Në të njëjtën kohë, u dha urdhër për të siguruar pamje të video-mbikëqyrjes brenda dhe përreth objektit. Inspektimi do të vazhdojë edhe sot, dhe prokurorët publik, së bashku me ekspertët e MPB-së, do të japin provat për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike”, -thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

BalkanWeb