Thellohet përplasja mes Qeverisë Shqiptare dhe ndërkombëtarëve…
16 Korrik 2022
SHBA bojkoton tryezën për Amnistinë Fiskale, ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës largohen nga konferenca para fjalës së Ramës, thellohet përplasja mes qeverisë dhe ndërkombëtarëve.
Thellohet konflikti i ndërkombëtarëve me kryeministrin Edi Rama. Kryeministri po tregon nga dita në ditë që ka një luftë të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Departamentin Amerikan të Shtetit dhe ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, në veçanti. Deri para se të merrte mandatin e tretë qeverisë, në 25 prill të vitit 2021, Edi Rama ishte i “përkëdheluri” i SHBA-ve, ndërkohë që ky raport harmonik vijoi të mbetej i tillë deri në fillim të këtij viti, kur qeveria “Rama 3” është përfshirë nga skandale, sikundër është ai i inceneratorëve dhe burgosja e dy deputetëve socialistë.
Gazeta e ka deklaruar së fundmi se mes shefit të qeverisë shqiptare dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo edhe të Bashkimit Evropian ka një krisje të raporteve, ndërkohë që një gjë e tillë është vënë në pah edhe ditën e djeshme në tryezën për Amnistinë Fiskale. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim e ka bojkotuar këtë takim, edhe pse kjo e fundit ka patur një ftesë për të qenë e pranishme.
Ambasadorët braktisin Ramën
Por ajo që ambasadorja amerikane Yuri Kim nuk e tregoi hapur, Franca dhe Gjermania nuk u kursyen ndaj kryeministrin Rama. Në konferencën që qeveria zhvilloi dje për të sqaruar të gjitha argumentet pro dhe kundër Amnistisë Fiskale, ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe homologu i saj gjerman, Peter Zingraf kanë lënë pa fjalë kryeministrin Edi Rama, pasi e kanë braktisur konferencën në momentin që kreu i qeverisë ka nisur të flasë.
Barsacq dhe Zingraf ishin të ulur në rreshtin e parë të të ftuarve në takimin e organizuar nga qeveria për amnistinë fiskale dhe kanë dëgjuar të flasë ministren e Financave, Delina Ibrahimi, zv.kryeministrin Arben Ahmetaj dhe një ekspert nga Britania e Madhe, të cilët shpjeguan specifikat e ligjit dhe përfitimet nga nisma e qeverisë. Por në momentin që Rama mori fjalën, ambasadorja e Francës i ka bërë një shenjë diplomatit gjerman si për t’i treguar se kishte ardhur koha të çoheshin nga karrigia, dhe në atë moment të dy së bashku kanë braktisur sallën.
Largimi i tyre u filmua nga regjia e kryeministrisë për disa sekonda, ndërsa me shpejtësi fokusi u zhvendos te kryeministri, fytyra e të cilit la përshtypjen e një njeriu të shtangur nga veprimi i ambasadorëve. Pas një pauze prej disa sekondash, kryeministri ka nisur t’u drejtohet ambasadorëve në mungesë, ndërsa i ka kërkuar ndërkombëtarëve që të mos e trajtojnë Shqipërinë si armike. Gjatë ditës së djeshme, ambasadorët kur u pyetën pse u larguan, u shprehën se kishin takime të tjera. Por kjo përgjigje nuk mund ta justifikonte këtë “incident” diplomatik.
Ja kur nisi të shfaqej krisja e Ramës me ndërkombëtarët
Më 18 mars të këtij viti, kryeministri Edi Rama ka stigmatizuar ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, duke e krahasuar me një personazh nga e kaluara moniste, si sekretari i partisë, të cilët në memorien kombëtare kanë ngelur njerëzit më të egër të diktaturës së proletariatit. Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim, edhe disa ditë më parë, të cilën e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë.
Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë. Kapuni mbas Flamurit të PD, se atë amerikan ka kush e kap. E kapin amerikanët. E keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfit. Mos na e trego ne nga çfarë u distancuam ne dhe nga cila duhet që të distancoheni ju. E dimë shumë mirë çfarë bëjmë. Mos na e qani hallin për marrëdhëniet as më Amerikën, as Evropën dhe as më shqiptarët. Për shkakun tuaj janë ekskluzive tonat. Këto lojërat me flamur amerikan, iu bëjnë qesharak”, deklaroi Rama. Pra kjo gjuhë e përdorur nga kryeministri Edi Rama tregon se raportet mes tij dhe amerikanëve janë ftohur.
Nga Elmaz Bogdani
Gazeta Sot