Thellohet skandali i Elira Kokonës, në 2015 mbrojti si avokate kompaninë greke që hodhi në gjyq Shqipërinë. – Aktivitetin e pezulloi 8 muaj pasi u emërua në ministri
18 Prill 2023
Thellohet skandali me zv.sekretaren e Përgjithshme të kryeministrisë Elira Kokona, e cila pas emërimit në detyrat e larta qeveritare në 2013 e në vazhdim, ka ushtruar e pashqetësuar profesionin e avokates. Nga të dhënat e ekstraktit të biznesit Elira Kokona, ka pezulluar aktivitetin e saj si avokate vetëm në prill të 2014, gati 8 muaj pasi ishte emëruar si sekretare e përgjithshme e ministrisë se kulturës.
Sipas ligjeve në fuqi detyra e Sekretarit të Përgjithshëm në administratën e lartë shtetërore është kategorikisht e papajtueshme me ushtrimin e profesioneve të tjera, dhe çdo person që kalon nga aktiviteti privat në zyrat e qeverisë duhet të tërhiqet nga biznesi personal përpara se të emërohet në detyrë. Shkelja nuk është vetëm disiplinore, por edhe penale pasi kemi të bëjmë me shpërdorim të pastër detyre.
Nga ana tjetër Elira Kokona rezulton se e ka ushtruar profesionin e avokatit privat jo vetëm në Strasburg por edhe në abritrazhet ndërkombëtare ku qeveria shqiptare është përballur me investitorë të ndryshëm.
Kështu në çështjen, “MAMIDOIL JETOIL GREEK PETROLEUM PRODUCTS SOCIETE S.A. kundër Shqipërisë”, Elira Kokona ka qenë përfaqësuese e kompanisë greke si avokate private. Padia është hapur në korrik të 2011, ndërsa vendimi është dhënë në 30 mars 2015. Në mes të kësaj periudhe Elira Kokona u emërua në detyrën e sekretares së përgjithshme të Ministrisë se Kulturës, por ky fakt nuk përmendet në asnjë rresht të vendimit të arbitrazhit ku janë listuar etapat e procesit.
Si zyrtare shtetërore nga njëra anë dhe si avokate nga ana tjetër, Elira Kokona në shpërdorim të pastër detyre, duhet të mbronte në arbitrazh interesat e klientëve të saj që ishin në gjyq me qeverinë, ndërkohë që gjatë gjykimit ajo ishte bërë pjesë e rëndësishme e vetë qeverisë.
Gazeta Shqiptare