Thellohet skandali i Unazës: Edhe në dy lotet e tjerë, tendera fiktivë me të njëjtën skemë si Loti I dhe OST. –

17,dhjetor  2018.

Pak ditë më parë u njoftua se tenderi i Lotit I të Unazës së Re të Tiranës u anullua.

Shkaku ishte zbulimi i skandalit me kompaninë guackë “Dunwell Haberman”, pas së cilës sipas Zërit të Amerikës qëndron Bashkim Ulaj, i njohur si biznesmen shumë i afërt me famljen Berisha, por që rezulton përfitues i parave publike në shuma të mëdha për projekte infrastrukturore të shpallura si prioritete në programin qeverisës të Rilindjes.

Në dy lotet e tjera, tenderat nuk u anuluan.

Por sot janë zbuluar të dhëna nga dosjet e tenderimit, prej të cilave rezulton se skema e prokurimit për dy lotet e tjera të Unazës është po aq e dyshimtë sa në lotin e parë.

Ka vetëm një ofertues të vlefshëm dhe një fiktiv.

Bie në sy se në të tria lotet, si në atë që u denoncua në media, ashtu edhe në dy të tjerat, ofertuesi fiktiv ka qenë e njëjta kompani.

Kjo kompani quhet “Vëllezërit Hysa”.

Duke marrë pjesë në garë – pa paraqitur ofertë financiare, – ajo ka shërbyer si instrument për të legalizuar procedurën e dyshimtë të prokurimit.

Konkretisht, në lotin e dytë (vlera 12.5 milionë euro) ofertuesi i vetëm i vlefshëm rezulton kompania “Salillari”, ndërsa kompania koperturë “Vëllezërit Hysa” nuk paraqiti ofertë.

Si rezultat, garën e fitoi automatikisht “Salillari” me një çmim 12.5 milionë euro, gati sa 100 për qind e fondit limit.

Në lotin e tretë, tenderi u fitua nga kompania “Victoria Invest”, edhe kjo me ofertë të vetme 9.4 milionë euro, ndërkohë që kompania “Vëllezërit Hysa” ka shërbyer sërish si koperturë, duke hyrë në garë por duke mos paraqitur ofertë.

Skema e prokurimit është identike në të trija lotet.

Dhe në të tria rastet tenderi është fituar me 100 për qind të fondit limit.

Edhe në tenderin e OST rezulton se është përdorur e njëjta skemë.

Edhe pse këto fakte hedhin dyshime të forta se tenderi 40 milionë euro i ndërtimit të “Unazës” ka qenë i gjithi i paracaktuar, Prokuroria është treguar shumë e vakët në reagime, ndërsa drejtuesit e ARRSH dhe OST janë marrë në mbrojtje nga ministri i linjës Damian Gjiknuri, por edhe nga kryeministri Rama.

Çuditërisht ndaj tyre nuk ka asnjë reagim, kur shkarkimet në admnistratë kanë ndodhur në mënyrë demonstrative edhe për “gabime” shumë më të vogla se kaq.

Ministri Gjiknuri ka deklaruar se i është drejtuar Prokurorisë, por nuk ka harruar të theksojë që bëhet fjalë “për një falsifikim jashtë territorit të vendit”.

Ndërsa kryeministri Rama tha se “tendera të falsifikuar ndodhin në të gjithë botën”.

k.a. / dita