1 Prill 2025

Thellohet skandali i mishit të pulës me salmonelë, duke nxjerrë në pah dështimin e plotë të sistemit të sigurisë ushqimore në Shqipëri. Pas analizave laboratorike që konfirmuan praninë e bakterit të rrezikshëm, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nisi kontrolle në treg, por nuk gjeti asnjë gjurmë të produktit, duke ngritur dyshime të forta se sasia prej 8 tonësh është konsumuar e gjitha. Ndërkohë, kompania importuese “AMG Food” ka manipuluar dokumentacionin, duke penguar gjurmimin e mishit të kontaminuar dhe duke vënë në rrezik shëndetin e mijëra qytetarëve. Autoritetet kanë shpallur në kërkim pronarin e kompanisë dhe kanë nisur hetimet ndaj disa inspektorëve të AKU-së për shpërdorim detyre. Por ky rast alarmant tregon dështimin e institucioneve përgjegjëse dhe ekspozon konsumatorët ndaj një rreziku të madh për shëndetin e tyre.

Detajet

Mishi i pulës me përmbajtje salmonele dyshohet se është konsumuar i gjithi. Rreth 8 ton fileto përfunduan në treg, por pas kontrolleve që u bënë më pas nuk është gjetur asnjë gjurmë e tyre. Që prej datës 21 Mars kur ISUV konfirmoi praninë e bakterit në ngarkesën prej 7.8 ton fileto pule, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nisi kontrolle në njësitë tregtare me qëllim bllokimin e produktit. AKU ka thënë për mediat se grupet e inspektimit u shtrinë në 10 qarqet ku ishte shitur mishin madje në të gjitha njësitë tregtare janë vendosur njoftime me foto të produktit për të informuar konsumatorin qe në rast se e kanë blerë këtë mish të mos e konsumojnë. Por deri më tani nuk është bërë asnjë konstatim dhe dyshimi është se mishi është konsumuar. Sasia prej 7.8 tonë mish pule e importuar nga Brazili mbërriti në Portin e Durrësit më 11 Mars, dhe pas analizave të kryera pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë më 21 Mars, u konfirmua prania e bakterit të rrezikshëm në mishin e ngrirë të pulës.

Reagon Ministria e Bujqësië

Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Dritan Palnikaj ka folur dje në një media për sasinë prej 8 tonësh fileto pule me salmonelë që u importua nga kompania AMG FOOD e Arben Goxhes, i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës. Institucionet vijojnë ta mbajnë të fshehur emrin e kompanisë edhe pse u zbulua nga mediat se AMG Food e importoi nga Brazili fileton e pulës me salomnelë. Palnikaj thotë se AKU ka kërkuar heqjen e licencës për kompaninë që futi në Shqipëri mish me salmonelë. Palnikaj thotë se AKU ka referuar rastin menjëherë në Prokurorinë e Tiranës dhe se që me marrjen e mostrave, ka vijuar me kontrollet dhe inspektimet, gjurmueshmërinë në 12 qarqe. “Roli i AKU është të mbikëqyrë procedurën dhe për të garantuar sigurinë ushqimore. Në rastin konkret, roli i AKU ka qenë proaktiv.

Do të thotë që ka ndërmarrë një sërë hapash të njëpasnjëshme që me marrjen e mostrave, ka vijuar me kontrollet dhe inspektimet, gjurmueshmërinë në 12 qarqe. Ka pasur bashkëveprim me Hetimin Tatimor dhe Policia e Shtetit. Ka nisur një auditimi për punonjësit dhe ka referuar subjektin që ka pasur këtë produkt. AKU ka bërë referimin në prokurori dhe ka vendosur bllokimin për pjesën e sasisë së gjetur.  Kompania është privat, por detyrimet për ti përmbushur ndaj publikut i ka publike, prandaj është në Prokurori. Detyrimet për të zbatuar ligjin, i ka me institucionet dhe ne shkeljet i kemi referuar në Prokurori. Edhe në rastin konkret është kërkuar nga AKU pezullimi i licencës”, deklaroi dje ai. Më tej Palnikaj, njëherazi edhe Drejtues i Task-Forcës për Sigurinë Ushqimore, shtoi se nuk dihet se sa mish i kontaminuar është konsumuar. “Nuk e kam këtë informacion, do duhet një kohë e caktuar të dalë. Uroj të mos i hajë askush ato. Lufta me bakteret, viruset dhe sëmundjet e influencës haviare është e përbotshme”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër Palnikaj thekson se AKU ka filluar vetë një proces auditimi. “Sa është koha për të bërë një analizë. Nga ISUF na thuhet se në rastet kur konstatohet influencë mikrobakteriale, minimumi është 9-12 ditë. Është diçka që ka të bëjë me një influencë të caktuar, për të cilën produktet parashikojnë maksimumi 12 ditë. Reagimi i AKU ka qenë i menjëhershëm. AKU ka filluar vetë një proces adutimi, ka vijuar me pezullimin me heqjen e licencës për kompaninë dhe referimin në Prokurori”, tha ai. Po ashtu, Palnikaj tregon se në momentin që ka dalë analiza ku është vërtetuar se fileto e pulës ishte e kontaminuar, inspektorët e AKU kanë qenë në kompani dhe kanë bllokuar sasinë e mishit me salmonelë. “Nëse ne e trajtojmë në mënyrë krahasuese, kjo duhet bërë me një metodologji analize. Ne kemi bashkëpunime shumë të mira me sistemin e rastit.

Këto produkte vijnë edhe me kontejner, çojnë edhe të ngrira, gjurmohen nga një rrjet i tërë ku Shqipëria është pjesë. Në momentin që ka dalë analiza, inspektorët e AKU kanë qenë në kompani dhe kanë kryer një bllokim. Këto pikëpyetje ne jemi duke bërë një hetim nga ana e AKU dhe ky hetim po bëhet edhe nga Prokuroria e Tiranës. Do doja që mediat ta trajtojmë çështjen me një kujdes të veçantë, AKU ka bërë njoftimin para se të dalë në media. Kemi ndjekur protokolle standarde, në bazë të tyre kemi këtë rezultat. Ne kemi edhe audit sot që po bëhet mbi AKU dhe referimin në Prokurorinë e Tiranës dhe bashkëpunimin me Policinë e Shtetit”, nënvizoi Palnikaj.

Reagon eksperti

Nga ana tjetër, Enriko Ceko, ekspert i sigurisë ushqimore, thotë se i sistemi i kontrollit mbi zinxhirin e furnizimit me ushqime nuk funksionon. Ceko tha se është detyra e AKU-së të kryejë kontrollet mbi produktet ushqimore të importuara. “Në ekonominë shqiptare nuk ka konkurrencë. I gjithë tregu është përqendruar në disa duar që kontrollojnë kërkesën dhe ofertën. Kur flasim për ushqimet, kuptojmë cilësinë. Por ka më shumë, ka edhe sigurinë dhe garancinë ushqimore. Kjo është çështje e sigurisë kombëtare. Sot lufta nuk bëhet vetëm me armë, bëhet edhe përmes ushqimit, edhe përmes ajrit me inceneratorët. Lufta bëhet edhe duke helmuar ujin. Cilësia klasifikon produktet. Pra, kur shkon në treg, ti e blen atë për disa karakteristika.

Garancia është ajo që lidhet me konsumin, pra kur shkojmë në shtëpi dhe e hamë, të mos na bëjë dëm. Ne nuk e kemi shansin që përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit të kemi sistemin e kontrollit. Ne kontrollojmë pika të caktuara dhe me to ne kontrollojmë gabim. Ne kontrollojmë stabilimentet e mëdha. Pse budallenj janë ata që të bëjnë gabime në prodhim? Mallrat e importuara duhet të kenë certifikatën e shoqërimit të mallit. Detyra e importuesit është të njoftojë autoritetet shqiptare para se të bëjë importin. Është detyra e AKU të shkojë të marrë mostrën. Nëse analiza del në rregull, lejohet të futet malli. Tani ne arrestojmë pronarin e kompanisë importues. Çfarë lidhje ka administratori këtu? Ku janë punonjësit që kanë vënë firmën që ky produkt të hyjë dhe të hidhet në treg”, deklaroi dje ai në një media. Më tej Ceko shtoi se AKU është kthyer në një institucion të politizuar që nuk kryen dot funksionin që i ngarkon ligji.

“AKU ka vetëm 200 inspektorë. Pjesa më e madhe nuk janë të zanatit. Në AKU janë të paktën 5 persona me doktoraturë dhe shefi i tyre është me bachelor. Pra, shefi injorant kontrollon këta. Nuk ka laborator në pikat doganore. Produkti pret në doganë sa bëhen analizat në Tiranë. Ai mund ta ketë marrë salmonelën në doganë. Në 90% e atyre që kapen i kap policia, nuk i kap AKU. Shkojnë kapin një subjekt, ai thotë po punoj këtu po nuk kam licencë. Meqë nuk ka licencë, edhe në gjyq, gjyqtari i thotë mbylle atë punishten. Po ai duhet të shkojë në burg. Ka shkelur ligjin, ka shkelur disa ligje njëkohësisht”, theksoi eksperti.

Çfarë ka ndodhur?

Ndërkaq kujtojmë se për rastin, Policia e Tiranës shpalli në kërkim Arben Goxhen pronarin e kompanisë AMG Food, i cili më 11 mars importoi nga Brazili gati 8 tonë mish pule të kontaminuar me salmonelë, që përfundoi në treg duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve dhe që ende nuk është tërhequr e gjithë sasia. Në hetim në gjendje të lirë, policia tha se vuri vëllain e tij, Mondi Goxhe, pronar i kompanisë “Dimal” që merr mishin e papërpunuar të pulës nga AMG për të prodhuar produkte të ndryshme. AMG Food në një reagim thotë se e shiti produktin tek 154 klientë, e faktuar kjo edhe me fatura tatimore, përmes të cilave u morën masat për tërheqjen e produktit nga tregu. Sipas AKU, janë tërhequr nga tregu gati 4.5 ton, ndërsa inspektorët janë në terren edhe sasinë tjetër, gati 3.5 ton, të shpërndara në 10 qarqe të vendit.

Kompania DiMal e Mondi Goxhës që po hetohet i lirë, në një reagim thotë se pasi u njoftuan për mishin me salmonelë, nuk e përdorën atë në asnjë prodhim të produkteve apo nënprodukteve të tyre dhe se asnjë sasi e rrezikshme me logon e tyre nuk është aktualisht në prodhim. Mishi i pulës mbërriti në portin e Durrësit më 11 mars. Në një kontroll rutinë AKU mori mostra për t’i analizuar, dhe thotë se njoftoi kompaninë AMG Food, të mos e nxjerrë produktin nga kontejnerët frigoriferikë në port, deri në daljen e përgjigjes, të cilën laboratori i ISUV e nxori më 21 mars.