27 Dhjetor 2024

Skandali në Akademinë e Sigurisë duket se po thellohet dita-ditës, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi legjitimitetin e këtij institucioni të arsimit të lartë dhe mbi veprimet e rektorit të saj, Ilirjan Mandro. Siç edhe premtuam në shkrimin e djeshëm për Akademinë e Sigurisë dhe bëmat e Rektorit të saj, Ilirjan Mandro, gazeta “SOT” ka folur me juristë dhe akademikë për të kuptuar se me çfarë institucioni kemi të bëjmë dhe na është sugjeruar që ky rast përben një “casus” studimi.

Konkretisht ekspertët e fushës, kanë konfirmuar se situata në Akademi përbën një rast të paprecedent, i cili sfidon jo vetëm ligjet për arsimin e lartë, por edhe parimet bazë të një institucioni të akredituar. Por rektori Mandro duket se ka zgjedhur një model drejtimi që sfidon çdo normë ligjore. Procesi zgjedhor për organet drejtuese të institucionit, përfshirë Senatin Akademik dhe Dekanatin e Fakultetit të Sigurisë, nuk është zhvilluar kurrë. Ligji për arsimin e lartë në Shqipëri përcakton qartë se zgjedhjet për këto organe duhet të zhvillohen çdo katër vjet dhe në të njëjtën kohë për të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Megjithatë, Mandro ka injoruar këto dispozita, duke emëruar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e strukturave drejtuese, pa respektuar proceset demokratike.

Kaosi

Kjo situatë ka krijuar një kaos të paprecedent ligjor. Vendimet e marra nga organet e emëruara nga rektori janë juridikisht të pavlefshme, duke e lënë institucionin në një gjendje të rrezikshme dhe të pasigurt për studentët dhe stafin akademik. Ndërkohë më shqetësues është fakti se ky kaos mund të çojë në humbjen e akreditimit të Akademisë së Sigurisë, një skenar që do të vinte në pikëpyetje vlefshmërinë e diplomave të studentëve dhe të ardhmen e tyre akademike.

Sipas investigimit që ka bërë gazeta “SOT”, rektori Mandro ka shpallur vetëm zgjedhjet për postin e tij, duke lënë pas dore detyrimin ligjor për të shpallur zgjedhjet për organet e tjera drejtuese. Por kjo qasje autoritare e tij ka kthyer Akademinë e Sigurisë në një institucion ku demokracia dhe transparenca janë zhdukur plotësisht. Ky model drejtimi, ku “vetë zgjidhesh, vetë emëron, vetë vendos”, është një shembull i qartë i abuzimit me pushtetin dhe shkeljes së hapur të ligjit. Studentët dhe stafi akademik janë lënë në një situatë të pasigurt, ndërsa organet përkatëse të akreditimit duket se kanë mbyllur sytë ndaj kësaj situate alarmante.

Përpara kësaj situate pyetjet që ngrihen tani janë: A do të ndërhyjë Ministria e Arsimit dhe organet e tjera përkatëse për të rivendosur rendin dhe ligjshmërinë në këtë institucion?; A do të mbajnë përgjegjësi personat që kanë lejuar këtë gjendje kaosi dhe abuzimi?; A duhet të shqetësohen studentët për vlefshmërinë e arsimimit dhe diplomave të tyre duke qenë se këto veprime rrezikojnë akreditimin e këtij institucioni? Pyetje të dhimbshme, por që gazeta “SOT” është e vendosur ta ndjekë këtë çështje deri në fund, duke hedhur dritë mbi të gjitha shkeljet e rektorit Mandro dhe duke kërkuar përgjegjësi nga të gjithë aktorët e përfshirë. Ky skandal nuk është vetëm një çështje e Akademisë së Sigurisë, por një sinjal alarmi për të gjithë sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Nëse abuzime të tilla lejohen të vazhdojnë, atëherë rrezikohet besueshmëria e të gjithë sistemit arsimor të vendit.

Gazeta Sot