Theofan Popa- Rreth veprës së Onufrit
Nga: Theofan Popa
Veprimtaria artistike e Onufrit është drejtuar në pikturë murale (monumentale) dhe në pikturë me kavalet (ikona). Ky aktivitet është përjetësuar në faqet e mureve dhe në ikonat e disa kishave, siç është ajo e shën Kollit në fshatin Shelcan, ajo e shëna-Premtes në fshatin Valësh, që ndodhen të dyja në Shpat të Elbasanit; kisha e shën Todrit, ajo e Vangjelistras dhe ajo e shën Mitrit, që ndodhen të tria, në kala të Beratit. Jashtë atdheut deri më sot dimë se Onufri ka mbuluar me piktura murale, muret e kishës së Shën –Apostujve të Kosturit të Greqisë
Disa nga këto monumente ikona të mjeshtrit ruhen në Vangjelistra dhe në Shën –Mitër, si dhe një ikonë ajo e Shën –Joan Theologut, në katedralen e Beratit. Kishat e tjera që përmëndëm ruajnë vetëm pikturë murale.
Piktura e Onufrit lind dhe zhvillohet në vazhdim të traditës së artit të madh bizantin, por talenti i fuqishëm i këtij mjeshtri shqiptar, nën ndikimin e ideve të reja të krijuara nga rrethanat politike të vëndit dhe të realizimeve të shkëlqyera të artit perëndimor të kohës, shkëputet nga normat e paradiktuara të pikturës së vjetër bizantine dhe futet në jetën e gjallë reale. Kështu, Onufri arrin të krijoi një art të vetin me tipare individuale, një art të përshkuar prej një fryme me prirje realiste, që nga ana artistike arrin maja të larta me interes të veçantë.
Fryma me prirje realiste reflektohet në gjithë veprën e tij. Sado fillestare dhe e lehtë, ajo ka depërtuar gati në zgjidhjen e të gjitha problemeve artistike të artit dhe e ka bërë pikturën e Onufrit që të ndryshojë e të dallohet për stilin e saj të veçantë më të përparuar. Ndërsa në kompozimin e skenave, Onufri ruan traditën bizantine, modelimet e dhe ansamblet e detajeve në një skenë, ai i realizon në një mënyrë të re për kohën, me elementë jetësorë. Kjo vërehet në shumë skena, si për shëmbull në skenën “lindja e Krishtit” në detalin ‘barinjtë dhe dhënt”(pikturë murale), ose “larja e foshjes nga dodiat” (ikonë), ku vërehen lëvizje e veprime natyrale ashtu siç ngjajnë në natyrë.Figurat në skenat e Onufrit janë të kompozuara në pozicione reale, me lëvizje dhe mimikë të gjallë, me shprehje psikologjike të thellë; duke marrë pjesë në ngjarjet që pikturohen në skenë, për shëmbull figurat në “shartja” (piturë murale), ose “grupi i apostujve” në skenën ngjallja e Llazarit (ikonë). Në gjithë veprën e tij, por sidomos në ikonat, ku ngjyrat ruhen të freskë edhe sot Onufri shquhet si mjeshtër i dalluar i ngjyrave duke i realizuar ato të kultivuara në maksimum: të ngrohta dhe transparente, përdorur me gradacione, në mjaftë raste edhe me tone të fuqishme, tingëllonjëse dhe të kombinuara me harmoni, për shëmbull jerarkët e mëdhenj, në shën-Todhër të Beratit (pikturë murale) si dhe në të gjtha ikonat e tij të Vangjelistras, po në Berat.
Përdorimi i raportit dritë –hije në skena është një element i ri për pikturën mbasbizantine të kohës së Onufrit, që dëshmon për frymën me prirje realiste të veprës së tij. Kjo vihet re për shëmbull në ikonën e shpërfytyrimit ku bije në sy më qartë mjeshtëria e Onufrit në realizimin e këtij raporti, si mbi shkëmbinjtë e thepisur dhe mbi figurat e apostujve e të profetëve.
Në tipat e Onufrit spikat një fizionomi e ngjashme me ato të popullatës së Shqipërisë së mesme. Kjo takohet në shumë figura të tij dhe dëshmon qartë për një ndiklim të artistit nga ambieni ku ai punoi dhe krijoi.
Trajtimi i figurave në skenat e Onufrit, me mimikë e lëvizje të gjalla, me shprehje të fuqishme shpirtërore dhe me tinguj të fortë dhe të fuqishëm të ngjyrave, ndofta në një farë mase reflekton gjëndjen shpirtërore të artistit, të formuar nën ndikimin e shqetësimit të madh të të gjithë popullit shqiptar.
Vepra e Onufrit krijoi një rymë të re, një shkollë lokale, që ndiet nga piktorët pasardhës, por që asnjë nga ata nuk e arriti kryemjeshtrin në art. Për shkak të rrethanave shumë të vështira që pasuan në vendin tonë, ajo u fik gradualisht.
Onufri është një figurë e ndritur në artin piktural mesjetar, mbas katastrofës së pushtimit otoman të vëndit tonë. Vepra e tij, që formon një thesar të çmueshëm për traditat kulturore të popullitt tonë, arrin rrealizime aq të larta, sa mund të themi pa frikë se e vë autorin e saj ndër piktorët më të shquar, që kanë vepruar mbas rënies së Bizantit.
Pergatitur nga Ajet Nallbani: Rreth veprës së Onufrit, “Monumente të kulturës në Shqipëri”,Tiranë, 1975,2, fq.72-74. Shoqërohet me 1 figurë. Piktura mesjetare, dëshmi e artit tonë mesjetar. Onufri, piktor mbas pushtimit turk. Veprimtaria artistike e Onufrit. Karakteristikat e veprës së tij.