“Thesaret e gjuhës shqipe” në duart e Xhevat Lloshit, studiuesi i njohur zbulon fakte të jashtëzakonshme. –

Nga: Leonard Veizi

Si erdhi “Thesare të gjuhës shqipe…” deri në duart e lexuesve?

45 vite më parë dhe pikërisht në pranverën e vitit 1972, për herë të parë shkuan në Londër dy studiues shqiptarë. Ata ishin Arben Puto dhe Xhevat Lloshi. Asokohe ishin hapur arkivat britanike për vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe shteti shqiptar ishte i interesuar që me studiuesit e vet të qëmtonte në to. Xhevat Lloshi kujton se i përhumbur thellësisht në dosjet e kësaj arkive, papritur zbulon disa dokumente krejtësisht të panjohura rreth Shqipërisë të afro 200 vjetëve më parë, të cilat i përkisnin Shoqërisë Biblike. Këto dokumente lidheshin me fillesat e shqipes dhe librit shqip. I entuziazmuar për këtë zbulim, u kërkon punonjësve të arkivit se si mund të siguronte një kopje të tyre. Rruga ishte e thjeshtë… E pasi pagoi dhe ca stërlina shtesë nga xhepi i tij, Xhevat Lloshi arriti të merrte fotokopjet e dokumenteve që i duheshin. Këto iu bashkëngjitën dokumentacionit për të cilin studiuesit kishin mbërritur në Londrën e atëhershme ku nuk kishte përfaqësi diplomatike shqiptare dhe kaluan “doganën” e shtetit amë, i cili që prej 5-së vitesh ishte shpallur dhe si i vetëm shteti ateist në botë, duke ndaluar në këtë mënyrë dhe qarkullimin e literaturës fetare. Që prej asaj kohe do të niste puna voluminoze e këtij studiuesi për të gjetur sa rrënjët e shqipes, por edhe të vetë librit shqip.

Pjesën më të madhe të 590 dokumenteve të klasifikuara nga Xhevat Lloshi e përbëjnë raportet dhe relacionet e “Shoqërisë Biblike” lidhur me përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe. Parimi i “Shoqërisë Biblike”, ishte që bibla të përkthehej në të gjitha gjuhët e botës, prandaj nuk pati asnjë pengesë nga dy kishat e tjera që predikonin në Shqipëri, nga ajo ortodokse dhe katolike.

Për ilustrim mund të citojmë se në letrën e Robert Pinkertonit për Londrën në gusht të vitit 1816, e cila ndodhet në faqe katër (4) të librit thuhet: “Pajisja e shqiptarëve të paktën me Dhiatën e Re në gjuhën e tyre është një objekt që e meriton në shkallën më të lartë të tërheqë vëmendjen e shoqërisë Biblike Britanike dhe për vendet e huaja. Ky komb zë një pjesë të madhe të Ilirikumit të lashtë dhe të Epirit ndërsa flet një gjuhë e cila duket se nuk ka asnjë afri gramatikore me sllavishten, turqishten, greqishten ose latinishten. Shumica e shqiptarëve janë të besimit të krishterë dhe i përkasin kishës lindore: pjesa tjetër janë zhytur në një padituri kaq të thellë për parimet e krishterimit saqë kanë përqafuar besimin mysliman”.

Shkrimet e shenjta në gjuhën shqipe, pavarësisht nga alfabeti që përdorej, filluan të botoheshin dhe të përhapeshin kudo. Në atë kohë asnjë nga dy kishat e mëdha të Shqipërisë nuk e kishin në projektet e tyre përkthimin në gjuhën shqipe të biblës. Prioriteti i tyre kishte të bënte me atë se fjala e Zotit duhej të predikohej në greqisht për kishën Lindore, ose në latinisht për atë të Perëndimit. Për të vazhduar konkretizimin citoj se në letrën e C.Hamlinin nga Bebeku për T.Lloyd Philipsin nga Stambolli në vitin 1857 mes të tjerash thuhet: “Kisha greke ka bërë përpjekje të mëdha për t’i helenizuar shqiptarët duke ngritur shumë shkolla greke…” Ndërsa në raportin 63 të shoqërisë biblike për vitin 1866, në faqen 169 të librit shkruhet gjithashtu: “Mes popullsive që përfshihen brenda kufijve të Turqisë Evropiane asnjëra nuk është dënuar me një mospërfillje të tillë të rënda sa shqiptarët”.

Ç’është e vërteta, mendësia e kishave tradicionale në Shqipëri, e asaj ortodokse dhe katolike, do të zëvendësohej nga mendësia pragmatiste e kishës protestante, e cila kishte një koncept të ri për përhapjen e shkrimeve të shenjta, atë të përkthimit që fliste çdo grup etnik.

Nga raportet e Shoqërisë Biblike sqarohet se përkthimi i Biblës fillimisht iu besua Vangjel Meksit, i cili u nda nga jeta pa e përfunduar tërësisht, e më pas Konstandin Kristoforidhit. Por disa broshura fetare janë përkthyer dhe nga Grigor Gjirokastriti. Në qershor të 1857 Kostandin Kristoforidhi i kontaktuar për të përkthyer Biblën, harton si raport për Agjencinë “Memorandum për gjuhën shqipe” e më pas “Shënime për Shqipërinë. Gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta”. Të dy këto dokumente të sjella nga Xhevat Lloshi marrin një rëndësi të madhe për të kuptuar rëndësinë e popullsisë shqiptare që jetonte e shtrirë në atë pjesë të gadishullit në mënyrë homogjene e që sot është e copëtuar në pesë shtete përveç tërësisë që njihet zyrtarisht si Republika e Shqipërisë.

Ajo që të bën përshtypje tjetër nga letërkëmbimi i misionarëve të shoqërisë biblike ka të bëjë me faktin se harmonia fetare e trumbetuar mes shqiptarëve herë si konkrete e herë si mit, ka qenë e vërtetë, dhe një gjë e tillë është vënë re madje dhe është raportuar nga misionarët e shoqërisë biblike. Në faqe 598 në raportin e Agjencisë së Stambollit për vitin 1883, përshkruhet një tur shëtitës për shitjen e biblave në Shqipërinë e Mesme, e më saktë në Tiranë, ku thuhet se një hoxhë e vlerësoi Dhiatën dhe foli për të pranishmit: “Këtu është Teurati, Zeboari, dhe Unxhili, që ne i besojmë, ndaj këta libra janë të shkëlqyer. Vetëm ata që nuk mund t’i lexojnë thonë që janë të këqij” dhe më pas raporti vijon: “Hyri një mysliman tjetër, u gëzua që po shihte libra në shqip dhe bleu një Ungjill…”

Gazetari i njohur Xhevdet Shehu shkruan se Prof. Dr. Xhevat Lloshi është një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës shqiptare, në gjuhësi, filologji, historiografi, e studime letrare. Ndërsa unë shtoj se botimi i librit “Thesare për gjuhën shqipe të shoqërisë biblike” është padyshim një ngjarje e rëndësishme kulturore e cila pret të marrë vlerat që i takojnë.