Nga Bardha Nergjoni

Festa e 18 Qershorit mbledh brezat promovon turizmin dhe kulturën e lashtë

Një krahinë në Shqipëri me emrin e qytetit në antikitet mbetet një mundësi e mirë për të shijuar natyrën, traditën, ushqimet karakteristike dhe trashëgiminë kulturore. Në 18 qershor Polisi, një zonë mes Elbasanit dhe Librazhdit, feston ditën e tij. Me dhjetra njerez udhëtojnë drejt malit e Polisit, kutë gjithë bashkë duke kaluar një ditë të veçantë mes këngëve dhe valleve tradicionale të zonës.

Zona e Polisit shtrihet kryesisht në rrethin e Librazhdit, por disa prej pjesë të saj i përkasin Elbasanit. Kjo zonë ka një popullsi prej 5 mijë banorësh kryesisht të fesë  myslimane. Kjo zonë është një nga krahinat më interesante dhe më të veçanta të Shqipërisë, djep i një qytetërimi të lashtë, me një të kaluar të lavdishme historike dhe kulturore me një bukuri natyrore të jashtëzakonshme. Të veçantë ka edhe traditat, kulturën, këngët polifonike, mikpritjen, mënyrën e jetesës, gatimit etj.

Në shekullin e 15-të Polisi ishte një zonë i lulëzuar dhe kryeqendra e një prej principatave më të dëgjuara shqiptare, Aranitët, kurse sot ai është një grumbull fshatrash të vegjël, që ka trashëguar nga e kaluara e civilizuar vetëm emrin dhe disa elementë të lashtë.

Në zonën e Polisit gjenden shumë vepra historike e kulturore, si rruga Egnatia, e cila shfaqet tek ura e Haxhi Beqarit, Ura e Gurit mbi lumin e Gostimës në fshatin Polis Sheh dhe Ura e Kamares mbi Lumin Shkumbin e cila dikur lidhte rrugën Egnatia me krahinën e Dibrës.

Mali i Polisit shtrihet në lartësinë mbi 1500 metra mbi nivelin e detit, pika më e lartë është “Faqja e Madhe” me lartësi 1974 metër. Në këtë mal rrite një bimësi e dendur dhe e shumëllojshme. Një prej tyre është “Ylli i Alpeve”, një bimë endemike unikale në botë. “Ylli i Alpeve” rritet shumë lart, në majë të malit të Polisit, mbi shkëmbinj, duke gjetur strehim për mbijetesë nga kafshët dhe njerëzit.

Sipas  Hajdar Cekanit, inxhinier mjedisi, Zona e Polisit ka 2700 ha pyje të llojeve dushqe, shkozë, bush dhe 3726 hektarë kullota alpine komunale e shtetërore që mbajnë një kapacitet mbi 30 000 krerë bagëti të imta dhe 10 000 krerë gjedhë.

Në këtë zonë rritet dhe mbarështohet delja e njohur “Lara e Polisit”, një dele autoktone e zonës dhe e përshtatur më së miri.

Në rrethinat e Polisit gjenden 1867 lloje bimësh të ndryshme, të cilat përfaqësojnë 58 për qind të florës shqiptare dhe 16 për qind të asaj evropiane. Bimësia zë 72 për qind të të gjithë territorit, nga të cilat 12 për qind janë të rralla.
Kullotat dhe livadhet janë të pranishme në të gjithë malin duke krijuar vende piktoreske duke u kombinuar  me pyje dhe shkëmbinj.

Në Malin e Polisit përmenden livadhe të ndryshme si “Vali i Pusit”, ku gjendet një pus mbi 8 metra thellësi që është i mbushur me ujë të pijshëm, i ndërtuar shume kohë më parë nga barinjtë e zonës, Vali i Madh, Vali Thatë, Vali Thekrit, Vali Skrajt, Darkat e Lukës etj. Këta janë livadhe të rrethuar, shumë të bukur për t’u vizituar nga turistë të ndryshëm vendas dhe të huaj.

Në malin  e kësaj zone ka disa burime te vogla ujore, por më i përmenduri është Kroi i Bardhë  që gjendet mes kullotave dhe fushave pa mbarim. Gjithashtu në Pyllin e Brushllit gjendet gropa e dëborës me një thellësi mbi 10 metra ku dëbora nuk shkrin asnjëherë, që ja vlen ta vizitosh.

Në zonën e Polisit janë dhe disa gurra  shumë të bukura dhe me ujë të bollshëm si Gurra e Ganjorit, Gurra e Kranshës dhe Gurra e Gurëshpatës. Një  gjë e veçantë është dhe Lumi i Gostimës që më pas bashkohet me lumin Shkumbin në Mirakë. Në këtë lumë rritet trofta e egër.

Zona ka përparësi turistike por e vetmja pengesë për t’i arritur është rruga.

Administratori i Polisit, Bujar Zharri thotë se edhe këtë vit Polisi ka çfarë të ofrojë.  “Polisi është një zonë turistike që ia vlen ta vizitosh, thotë ai. Për të dytin vit rradhasi organizohet festa tradicionale në Malin e Polisit, një festë e cila do të jetë shumë e veçantë e ndërthurur me turizmin, kulturën, gastronominë e polisarëve. Gjithashtu do të ketë dhe aktivitete kulturore artistike. Turistët do të gjejnë gjithçka bio: djathin, kosin, qumështin e freskët, do të shuajnë etjen me ujin e ftohtë që del nga pusi qindravjeçar, nga burimet e freskëta  që zbresin nga  lartësitë e maleve”.

Për t’u ardhur në ndihmë  turistëve janë hapur dhe rrugë për ata që duan të udhëtojnë me makina, por edhe rrugë këmbësore për aventura turistike. Për të shkuar në zonën e  Polisit dhe veçanërisht ne malin e Polisit shkohet në dy drejtime: Mirakë-Gurëshpatë (Qafë Dardhë) -Vali Pusit, 24 km distancë ose Mirakë -Vilan (Gurrë-Kranshë) – Brushkull me gjatësi 30  kilometra. Rruga është  kalueshme për furgonw ose fuoristrada.

Pak histori

Sipas historianëve Polisi ka qenë i banuar që në kohë të lashta prehistorike. Këtë e dëshmojnë disa gjurmë të hershme banimi, si dhe gjetjet arkeologjike. Objekti më i hershëm është një sëpatë bronzi e shekullit XIII-XII p.e.s., që është gjetur në Gostimë dhe që sot ndodhet i ekspozuar në vitrinat e Muzeut Arkeologjik të Tiranës. Në perëndim të Polis-Qendër ndodhen rrënojat e një qyteze ilire, brenda dhe jashtë mureve të së cilës gjenden mbeturina enësh prej qeramike.
Sipas disa burimeve dokumentare të autorëve të vjetër, malet e Polisit në antikitet quheshin Malet e Kandavisë. Gjatë periudhës së mesjetës Polisi ka qenë nën zotërimet e familjes feudale të Aranitëve, e cila, gjatë sundimit të Gjergj Aranitit, e kishte Polisin si kryeqendrën e saj.

Në shekullin XIX në Polis është gjetur një libër me një dorëshkrim të vjetër në gjuhën shqipe të shkruar me një alfabet të veçantë. Rreth vitit 1650, Theodhor Bogomili, i cili mendohet se ishte nga Polisi, hartoi një tekst në dorëshkrim në gjuhën shqipe me një alfabet origjinal. Libri përmban fragmente ungjijsh, si dhe një predikim të lirë të ritit ortodoks. Alfabeti i Polisit ka 21 shkronja dhe është më i vjetri i njohur për gjuhën shqipe. Teksti ka formën e një libri dhe mban titullin “Psalltiko”.

Tek blegtorët e Polisit gjendet një sistem numërimi origjinal, të vjetër, që daton para pushtimit turk. Ata kishin shpikur simbole që u korrespondonin numrave aritmetikë. Këto numra barinjtë i “shkruanin” duke i gdhendur mbi një shkop prej druri, që quhej rabushë. Rabushët përgatiteshin prej druri thane, pasi prej thanës dilnin shkopinj të drejtë, të fortë dhe pa palcë.  Shënimi i numrave bëhej duke i radhitur numrat njëri pas tjetrit, nga e majta në të djathtë. Me anë të këtyre simboleve-numra zhvilloheshin disa veprime matematikore, siç ishin mbledhjeve të numrave dhe formimi i shifrave. Rabushët përdoreshin kryesisht nga barinjtë për të shënuar sasinë e bulmetit,  mishit, leshit etj. Sot rabushët janë nxjerrë jashtë përdorimit. Ata kanë mbetur si një relikte e vjetër, që dëshmon për një kulturë të lashtë, të krijuar në shekuj nga banorët e zonës.