Thirrja e banorëve të zonave të përmbytur: -‘Skënderbeu’ të na dëmshpërblejë

– 16/02/21

Banorë të fshatrave të përmbytura në qarkun e Shkodrës, kanë dalë në qytet për të protestuar keqmenaxhimin e reshjeve të dendura të shiut dhe harresën e qeverisë.

Ata kanë shfrytëzuar prezencën e mediave për t’i bërë apel kryeministrit Edi Rama në lidhje me situatën ku ato ndodhen, nisur edhe nga fakti se sot ai do të jetë pjesëmarrës në procesin e vaksinimit të Shkodrës.

Ndër të tjera, banorët u shprehën se kanë mbi 40 ditë në ujë dhe se nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.

 “Duke marrë edhe një farë informacioni se kryeministri i Shqipërisë, një nga legjendat e këtij vendi, Skënderbeu i tretë, do të vijë në Shkodër…më duket se i takon, se është Spiropali përpara…të na ofrojë disa ndihma artificiale, se origjinale nuk ka. 

 Ne kemi 40 ditë që disa njësi janë të përmbytura. Në Bërdicë janë 350 ha të përmbytura, nuk kemi parë asnjë ndihmë nga shteti jonë. Populli i këtij vendi është duke shkruar drejt regresit, nuk ka mirëqenie. Ne si banorë e shprehim këtë indinjatë nëpërmjet mediave. Shteti të vijë dhe të mos shëtisë me makina, por të na shohë shtëpi më shtëpi” , – tha një banor.

Gazeta Mapo