Thirrje, që Sheshi Flamurit Vlore të mos preket pa dëgjuar Shqiptarët!

Deklaratë e Kryetarit të PD Vlorë.

Jam sot këtu si kryetar i PD, por edhe si qytetar e inxhinier në profesion.

Jemi sot këtu në sheshin historik të kombit shqiptar edhe si një zë i reagimit dhe shqetësimit qytetar brenda dhe jashtë Vlorës, në lidhje me atë se çfarë pritet të ndodh me këtë shesh.

Jam sot këtu për të komunikuar me ju disa shqetësime që lidhen me projektin e rehabilitimit të sheshit historik të kombit shqiptar. Shqetësime këto të konsultuara me specialist të shumë fushave, dhe konkretisht më poshtë po ju rendis disa nga këto shqetësime:

  1. Projekti është i pakonsultuar me askënd në Vlorë dhe kushdo që thotë të kundërtën, nuk është i sinqertë me veten dhe vlonjatët;
  2. Nga projekti i paraqitur konstatojmë se sheshi humbet identitetin si Sheshi Kombëtar i Flamurit, e si pasojë sheshi do të humbas vlerat e tij historike. Ai nuk do të shikohet e vizitohet më si një shesh historik, si një Mekë për të gjithë shqiptarët, por si një shesh normal;
  3. Përballë monumentit historik do të ndërtohet një monstër betoni, të cilën edhe ata që e prezantuan me nxitim në ditën e tretë të vitit, ishin të paqartë për të thënë se çfarë është në të vërtet;
  4. Brenda vlerës së financimit të projektit janë të gjitha mundësitë për të ndërtuar Shtëpinë e Pavarësisë, një kërkesë e hershme kjo e historianëve dhe qytetarëve të Vlorës;
  5. Projekti nuk tregon asgjë se çfarë do të bëhet me muret e Aulonës antike, të cilat janë një dëshmi e rëndësishme historike për qytetin;
  6. Në projekt konstatohet heqja e simboleve historike të qytetit, por edhe kombit shqiptar siç janë “4 Topat” që përfaqësojnë bashkimin e 4 Vilajeteve në një Shesh Historik si ky i Flamurit;
  7. Nga verifikimi i dokumentacionit konstatojmë se ka abuzim me shpronësimet;
  8. Fituesi i tenderit nuk është fitues me vlerën më të ulët, por e ka fituar me një vlerë rreth 2 miliard lekë më tepër;
  9. Nuk duhet te harrojmë se në këtë shesh është investuar dhe në vitin 2012 duke hedhur qindra miliona lekë;

Të nderuar qytetarë!

Ne kërkojmë transparencë,

Vlonjatët kërkojnë transparencë,

Historia vetë kërkon transparencë!

Pse nuk ka më transparencë nga Ky Kryemistri, ashtu si veproi në fillimet e qeverisjes me ndërtimin e fazës së parë të lungomares?

Ne nuk jemi këtu për të bërë politikë, por mungesa e transparencës është tregues i dështimit të kësaj qeverisje, duke u zëvendësuar me arrogancën e Njëshit, që kujton se i di të gjitha ai dhe askush tjetër.

Ne nuk jemi këtu për disa vota më shumë.

Por edhe nuk do të heshtim përpara atyre që edhe sheshin e flamurit, me një projekt të pastudiuar mirë, të pakonsultuar, pa konkurs ndërkombëtar, të përgatitur shpejt e shpejt, e të fshehur pas emrit të një arkitekti belg, duan ta përdorin në shërbim të fushatës elektorale, për disa vota më tepër.

Ne nuk duam që vlonjatët të gënjehen në emër të së bukurës, të investimit të munguar e të zhvillimit të Vlorës. Edhe ne e duam të bukurën, investimin, zhvillimin e qytetit ku kemi vendosur të jetojmë.

Ne i bëjmë thirrje “belgut” Edi Rama që ta rishikojë qëndrimin e tij personal në lidhje me Sheshin e Flamurit.

Ne i bëjmë thirrje ndërgjegjes qytetare në Vlorë dhe në gjitha trevat shqipfolëse që të reagojnë në lidhje me atë që pritet të ndodh këtu, në Sheshin e Shqipëtarëve.

Ne i bëjmë thirrje ndërgjegjes dhe profesionalizmit të specialistëve, arkitektëve, inxhinierëve e grupeve të interesit, që të shprehin hapur mendimet dhe sugjerimet e tyre në lidhje me këtë projekt, për ta përmirësuar atë.

Ne bëjmë thirrje, që Sheshi Flamurit të mos preket pa dëgjuar Shqiptarët!

Ju faleminderit!

Huazuar nga FB: Bujar Leskaj