THIRRJE SHPIRTI, INTELEKTUALE, SHKENCORE E NËSE E DO DIKUSH EDHE KOMBËTARE
11 Maji 2024.
Nga Kastriot Marku
Mendoj se Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, duhet të hartojë, mbështesë/financojë dhe realizojë në një kohë sa më të shpejtë të mundur një Ekspeditë të plotë, së paku një mujore, më së paku tre grupe pune me studiues dhe ekspertë në disiplinat përkatëse nga institutet në varësi të saj si: Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Instituti i Arkeologjisë si dhe ai Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në krahinën e Çamërisë në Greqi. Mbledhja e visarit gjuhësor (dialektologjik), atij etnografik, folklorik dhe atij muzikor, mendoj se përbën një urgjencë të panegociueshme për të mbrojtur nga humbja e parikthyeshme visaret e trashëgimisë kulturore shqiptare që ende mbart kjo trevë etnike, e cila ka provuar mbi kurrizin e saj gjenocidin, shkombëtarizimin dhe frikën e pashoqe të mosnjohjes së identitetit etnik kombëtar shqiptar deri në asgjësim të frikshëm përtej çdo imagjinate, e cila as që mund të mendohet sot në kontinentin europian. Organizimi i një ekspedite të tillë nga Institucioni akademik me autoritar shqiptar, paraprirë nga një kërkesë institucionale shoqëruar me projektin përkatës drejtuar institucioneve shtetërore dhe akademike greke, do të ishte një hap syçelë i shkencës shqiptare për të çuar në vend dinjitetin e saj kërkimor në mbrojtje të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Është e pafalshme që ne sot e gjithë ditën të mbështetemi në ato pak tekste të botuara para vitit 1944, si dhe në disa regjistrime të bëra në vitin 1958, kur edhe u bënë regjistrimet e çamërishtes nga studiuesi i mirënjohur Qamil Haxhihasani, të cilat ai si rrjedhojë e izolimit politik mes dy shteteve, i voli nga çamët e zhvendosur me dhunë nga trojet e tyre, në përfundim të Luftës II Botërore, e që asokohe jetonin në fshatrat e Durrësit. Tre punimet dialektologjike të Qemal Haxhihasanit, të botuara përkatësisht në vitet 1971, 1974 dhe 1975, për kushtet specifike të realizimit të tyre, janë dhe mbeten ende punimet më serioze dhe të vetmet që janë realizuar deri më sot. Përkundrejt vlerës së çmuar që bartin ato tekste, ato gjithsesi janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme, dhe për rrjedhojë duke qenë se nuk janë regjistruar në terren, është njësoj si të thuash “të kapësh veshin e djathtë me dorën e majtë”. Për të çuar në vend nderin institucional në mbrojtje të trashëgimisë sonë kombëtare, e jo sa për të larë gojën, mendoj se ky projekt do të ishte njëkohësisht edhe një test prove për të vënë në hullinë mentale perëndimore një shtet që kërkon e merr çdo gjë me e pa të drejtë nga vendi ynë dhe nuk i jep mundësinë shtetit fqinj të realizojë në mënyrë të pavarur një projekt tërësisht metodologjik dhe me synime të qarta shkencore. Nëse nismat e derisotme kanë qenë tërësisht të karakterit privat, autodidakt dhe gati-gati anakronike, pavarësisht dëshirës së mirë të tyre, le të jetë realizimi i këtij projekti një hap themelor për të njohur “de visu” atë që shkenca na këshillon, larg nacionalizmave të sëmura dhe politikës ditore. Nuk e bëjnë dot këtë punë as partitë politike, as shoqatat e ndryshme e as tubimet e protestat me flamuj e të bërtitura lart e poshtë. Këtë punë më së pari e bëjnë zejtarët e dijes. Mendoj se një grup prej dhjetë vetësh (6-8 studiues specialistë në disiplinat përkatëse si: një skicograf/topograf, një fotograf/kameraman), dhe një makinë me të gjithë pajisjet e duhura profesionale janë të mjaftueshmërisht të pranueshme për të kënaqur finalizimin e një projekti të tillë. Uroj që dikush t’a transmetojë këtë mesazh dhe thirrje vetjake timen në adresën e duhur. Jam më së i bindur se kësaj ideje do i bashkohen edhe të tjerë, me shpresën që projekti në fjalë të ftillohet e të realizohet sa më parë e mos bjerë në vesh të shurdhët. Mjaft më! Nuk mund të pritet pa fund. Koha po ecën ndaj duhet vepruar sa të mos jetë vonë. [Kastriot MARKU. Milano, 7 Maj 2024].
11 Maji 2024
Nga Kastriot Marku
Mendoj se Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, duhet të hartojë, mbështesë/financojë dhe realizojë në një kohë sa më të shpejtë të mundur një Ekspeditë të plotë, së paku një mujore, më së paku tre grupe pune me studiues dhe ekspertë në disiplinat përkatëse nga institutet në varësi të saj si: Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Instituti i Arkeologjisë si dhe ai Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit në krahinën e Çamërisë në Greqi. Mbledhja e visarit gjuhësor (dialektologjik), atij etnografik, folklorik dhe atij muzikor, mendoj se përbën një urgjencë të panegociueshme për të mbrojtur nga humbja e parikthyeshme visaret e trashëgimisë kulturore shqiptare që ende mbart kjo trevë etnike, e cila ka provuar mbi kurrizin e saj gjenocidin, shkombëtarizimin dhe frikën e pashoqe të mosnjohjes së identitetit etnik kombëtar shqiptar deri në asgjësim të frikshëm përtej çdo imagjinate, e cila as që mund të mendohet sot në kontinentin europian. Organizimi i një ekspedite të tillë nga Institucioni akademik me autoritar shqiptar, paraprirë nga një kërkesë institucionale shoqëruar me projektin përkatës drejtuar institucioneve shtetërore dhe akademike greke, do të ishte një hap syçelë i shkencës shqiptare për të çuar në vend dinjitetin e saj kërkimor në mbrojtje të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore. Është e pafalshme që ne sot e gjithë ditën të mbështetemi në ato pak tekste të botuara para vitit 1944, si dhe në disa regjistrime të bëra në vitin 1958, kur edhe u bënë regjistrimet e çamërishtes nga studiuesi i mirënjohur Qamil Haxhihasani, të cilat ai si rrjedhojë e izolimit politik mes dy shteteve, i voli nga çamët e zhvendosur me dhunë nga trojet e tyre, në përfundim të Luftës II Botërore, e që asokohe jetonin në fshatrat e Durrësit. Tre punimet dialektologjike të Qemal Haxhihasanit, të botuara përkatësisht në vitet 1971, 1974 dhe 1975, për kushtet specifike të realizimit të tyre, janë dhe mbeten ende punimet më serioze dhe të vetmet që janë realizuar deri më sot. Përkundrejt vlerës së çmuar që bartin ato tekste, ato gjithsesi janë jashtëzakonisht të pamjaftueshme, dhe për rrjedhojë duke qenë se nuk janë regjistruar në terren, është njësoj si të thuash “të kapësh veshin e djathtë me dorën e majtë”. Për të çuar në vend nderin institucional në mbrojtje të trashëgimisë sonë kombëtare, e jo sa për të larë gojën, mendoj se ky projekt do të ishte njëkohësisht edhe një test prove për të vënë në hullinë mentale perëndimore një shtet që kërkon e merr çdo gjë me e pa të drejtë nga vendi ynë dhe nuk i jep mundësinë shtetit fqinj të realizojë në mënyrë të pavarur një projekt tërësisht metodologjik dhe me synime të qarta shkencore. Nëse nismat e derisotme kanë qenë tërësisht të karakterit privat, autodidakt dhe gati-gati anakronike, pavarësisht dëshirës së mirë të tyre, le të jetë realizimi i këtij projekti një hap themelor për të njohur “de visu” atë që shkenca na këshillon, larg nacionalizmave të sëmura dhe politikës ditore. Nuk e bëjnë dot këtë punë as partitë politike, as shoqatat e ndryshme e as tubimet e protestat me flamuj e të bërtitura lart e poshtë. Këtë punë më së pari e bëjnë zejtarët e dijes. Mendoj se një grup prej dhjetë vetësh (6-8 studiues specialistë në disiplinat përkatëse si: një skicograf/topograf, një fotograf/kameraman), dhe një makinë me të gjithë pajisjet e duhura profesionale janë të mjaftueshmërisht të pranueshme për të kënaqur finalizimin e një projekti të tillë. Uroj që dikush t’a transmetojë këtë mesazh dhe thirrje vetjake timen në adresën e duhur. Jam më së i bindur se kësaj ideje do i bashkohen edhe të tjerë, me shpresën që projekti në fjalë të ftillohet e të realizohet sa më parë e mos bjerë në vesh të shurdhët. Mjaft më! Nuk mund të pritet pa fund. Koha po ecën ndaj duhet vepruar sa të mos jetë vonë.
Kastriot MARKU. Milano, 7 Maj 2024.