Tirana mbushet me fustanellat e Skocisë, tifozët shembull për t’u ndjekur. – Liga e Kombeve. –

Shqipëria do të përballet me Skocinë ditën e shtunë në takimin e vlefshëm për Grupin 1 të Ligës së Kombeve.

Në stadium pritet të jenë rreth 2 mijë tifozë skoceze, të cilët kanë disa ditë që kanë mbërritur në Tiranë dhe kanë përfituar nga kjo vizitë për tu njohur me kryeqytetin.

Ajo që bie më se tepërmi në sy është veshja e tifozëve skoceze. Ata shfaqen në rrugën e Tiranës të veshur me fustanella tradicionale “kilt” dhe me fanellat e kombëtares së tyre.

Mësohet se një grup tifozësh i quajtur “Tartan Army” ka dhuruar një çek prej 5 mijë paund, një fondacioni shqiptar që merret me fëmijët në vendin tonë.

Grupimi ka krijuar prej rreth 15 vitesh një nismë ku shumë prej tifozëve mbledhin fonde gjatë vitit për vizitat që bëjnë në vende të ndryshme dhe sidomos ato në nevojë, duke dhënë para kryesisht për spitalet apo qendrat që merren me fëmijët që kanë nevojë për asistencë.