Tirana pa muze etnografik, etnografët apel institucioneve për përshtatjen e Institutit të Antropologjisë
Tirana pa muze etnografik, etnografët apel institucioneve për përshtatjen e Institutit të Antropologjisë
18/05/2019
Tirana nuk ka një muze etnografik dhe specialistë të fushës shprehen se institucionet nuk kanë treguar vëmendje sa duhet për këtë trashëgimi materiale. Edhe pavioni i etnografisë, që ishte menduar të hapej në Muzeun Historik Kombëtar prej vitesh po qëndron mbyllur. Një projekt për të cilin etnografët kanë folur shumë, por nga Ministria e Kulturës asnjë vendim për hapjen e tij. Etnografja e njohur prof. dr. Afërdita Onuzi shprehet se fondet etnografike, që janë Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe të Studimit të Artit kanë shumë rëndësi për traditën dhe kulturën. Por me keqardhje ajo shprehet se Tirana nuk ka një muze etnografik, dhe në këto kushte vetë specialistët janë duke menduar për një projekt për muze në godinën ku ndodhet Instituti. “Pavioni etnografik që do të luante rolin e një muzeu në Muzeun Historik Kombëtar vazhdon të jetë i mbyllur. Por ne si Institut jemi duke menduar për të bërë vetë një projekt. Duke qenë se nuk po bën gjë Ministria e Kulturës ne po mendojmë që të bëjmë vetë një muze që të jetë të paktën i përkohshëm me ekspozita dhe të kompensojmë mungesën e muzeut etnografik. Pavionin etnografik te Muzeu Historik Kombëtar se përmend kush më. Objektet janë vendosur dhe rrinë në pluhur, nuk di se çfarë bëhet më. Nga fondet tona për atë pavijon atje u morën disa nga objektet më të mira, por ka dhe ekzemplarë unikal dhe rrinë mbyllur. Ne mendojmë që këtë muze ta kemi te Instituti ynë”, pohon etnografja Onuzi. Edhe pse pavijoni që do të luante dhe rolin e një muzeu të etnografisë nisi si projekt që në 2007 dhe sot është mbyllur, etnografja Afërdita Onuzi shprehet se gjithçka i takon ministrisë për këtë problem. “Ne nuk kemi punë me MHK, i cili varet nga Ministria e Kulturës. Problemin e kemi me ministrinë”, vijon specialistja e fushës së etnografisë. Më tej etnografja Afërdita Onuzi shprehet se nëse bëhet muzeu do të shërbejë shumë edhe për vizitorët. “Ne jemi ende duke biseduar, sepse kemi dhe një pjesë të oborrit që mund ta vëmë në dispozicion për pjesën e mjeshtrive popullore dhe ta aktivizojmë që dhe të shihet. Ne e kemi menduar si projekt që është ambicioz, por se di sa do na mbështesin institucionet. Tirana nuk ka muze etnografik. Pardje ishin dy studiues francezë që shkuan në MHK dhe atje vetëm dokumentet, histori dhe luftë. Bashkia ka një dhomë të vogël të kulla e sahatit me disa objekte, por nuk mund të quhet muzeu etnografik”, pohon etnografja.
Rregullimet për kushtet e fondeve
Prej vitesh me probleme me fondet etnografike, specialistja tregon dhe lajmin e mirë se në godinën ku ato ruhen është rregulluar rrjeti elektrik. “Siç gëzonte Shqipëria për elektrifikimin dikur në po gëzojmë se u vu rrjeti elektrik i ri dhe në parametrat e duhura, një lajm shumë i mirë për ne. Por ndërkohë është edhe një projekt për vendosjen dhe sistemimin e mirë të disa objekteve të argjendarisë, pra për ti vënë në kutia dhe nëpër vende të duhura”, pohon prof. dr. Onuzi. Por problem sipas saj është dhe restaurimi i fondeve të etnografisë. “Ne duhet të ngremë një laborator për restaurimin e tyre, që është një problem kyç te Instituti jonë. Ne kemi një person që është marrë me këtë dhe kjo është shenjë e mirë, i cili po bën diçka por mendoni se aty janë diku te 27 mijë objekte dhe çfarë mund të bëjë një person? Drejtori i Institutit që është një djalë fantastik është duke e kërkuar këtë gjë, por se sa do të jetë kuadri ne nuk dimë gjë. Por gjithë këto objekte nuk është vetëm detyra ti grumbullosh, por edhe ti mirëmbash, ti sistemosh dhe restaurosh”, pohon etnografja Afërdita Onuzi. Dje në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit në bashkëpunim me ICOM Shqipëria, organizoi në sallën “Rrok Zojzi” veprimtarinë kulturore “Muzeu dhe fondet etnografike: tradita dhe e ardhmja”. Në fokus të këtij aktiviteti ishte ligjërata e prof. dr. Afërdita Onuzi, një nga autoritetet më në zë të kësaj fushe. Tematika u përqendrua në rëndësinë dhe pasurinë e madhe të koleksionit etnografik të IAKSA-s dhe nevojën e ngutshme të përdorimit të këtij fondi për funksione muzeale, si një realitet i prekshëm dhe i vizitueshëm për një audiencë të gjerë.
Nga Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/