Tirane: – Inspektori i Policisë meson dhe orienton të miturin të grabiste një zonjë

14 Shkurt 2022

Një punonjës policie i Patrullës së Përgjithshme, është arrestuar pasi dyshohet se sëbashku me një të mitur, kanë grabitur një shtetase.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njofton se në pranga është vendosur shtetasi R.P. 25 vjeç me detyrë inspector në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme.

Arrestimi i tij është bërë pas denoncimit të shtetases me iniciale G.M. të cilës i ishte vjedhur një send personal në rrugën “Brigada e VIII”, Tiranë përpara disa ditësh.

Efektivët gjetën në makinën e 25-vjeçarit sendin e vjedhur. Pas hetimeve, rezultoi se punonjësi i policisë, kishte nxitur një të mitur që të grabiste shtetasen në fjalë.

Njoftimi i AMP-së:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore arrestoi në flagrancë më datë 13.02.2022, punonjësin e policisë në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, shtetasin R. P., 25 vjeç, me gradën Inspektor në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme me emërtesë “Trupë Shërbimi”.

Arrestimi i tij u krye bazuar në kallëzimin e shtetases G. M., të cilës më datë 12.02.2022 i është vjedhur një send personal në rrugën “Brigada e VIII”, Tiranë.

Pas veprimeve hetimore nga ana e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 6 është gjetur dhe sekuestruar sendi i vjedhur në mjetin Opel Corsa, në pronësi të punonjësit të policisë R. P., ndërsa autor i vjedhjes ka rezultuar të jetë shtetasi i mitur E. K. (proceduar). Nga hetimet ka rezultuar implikimi i punonjësit të policisë në drejtim të shtytjes së të miturit në krimin e vjedhjes dhe bashkëpunimin e tij.

Në këto kushte, punonjësi i policisë R. P. u arrestua në flagrancë për veprat penale të  “Vjedhjes” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga  Neni 134 dhe 25, “Shtytja e të miturve në krim” dhe  “Përgjegjësia e bashkëpunëtorëve”, parashikuar nga nenet 129 dhe 27 të Kodit Penal.

Materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.

Gazeta Panorama