Tiranë, ngrihet heshtur një memorial për grushtin e shtetit në Turqi
Tiranë, ngrihet heshtur një memorial për grushtin e shtetit në Turqi
9 gusht 2019
Në Tiranë është ngritur një memorial për viktimat e atij që quhet si grusht i shtetit i 15 korrikut 2016 në Turqi.
Lajmi nuk është pasqyruar shumë nga mediat dhe nuk ka patur as njoftime zyrtare.
Por dje në Tiranë ndodhi një marshim që ka nisur nga sheshi “Nënë Tereza” dhe ka vazhduar në kodrat e Liqenit ku është vendosur memoriali.
Portali Respublica që ka botuar foto dhe video nga aktiviteti ngre shqetësimin se “ishte një manifestim që ngado që ta shohësh e sido që ta mirëkuptosh të lë pa fjalë”.
“Nuk dihet se çfarë i shton qytetit të Tiranës një memorial i tillë, Çfarë e lidh Shqipërinë me 15 korrikun 2016 në Turqi dhe se çfarë borxhesh i ka qeveria shqiptare Recep Erdoganit që mësyn në këtë mënyrë me kërkesa që kanë forcën e simbolit dhe sjellin mesazhe provokative që herët apo vonë do të minojnë atë mirëkuptim njerëzor që ekziston mes dy popujve.
Qeveria shqiptare mund të lante borxhet ndaj Turqisë me një monument të një figure historike, por jo duke kujtuar ngjarje politike që janë çështje e brendshme Turqisë. Sigurisht që heshtja ndaj këtij lajmi, ndërkohë që në Tiranë edhe Xhamia e Namazgjasë është imponuar si projekt nga Erdogani, është lajmi përmbi lajmin e memorialit dhe duhet thënë se ndaj këtij akti të paprecedent nuk ka reaguar askush” – shkruan portali.