Tjetër ‘bombë’ ekologjike, mbetje spitalore e inertet ‘pushtojnë’ Erzenin! Nga vijnë këto mbetje spitalore? Banorët e Ndroqit: Ujitja me ujë të ndotur rrezikon bimësinë (Vëzhgimi i Report Tv)
Tjetër ‘bombë’ ekologjike, mbetje spitalore e inertet ‘pushtojnë’ Erzenin! Nga vijnë këto mbetje spitalore? Banorët e Ndroqit: Ujitja me ujë të ndotur rrezikon bimësinë (Vëzhgimi i Report Tv)
Nga: Arsen Rusta
Shirignat, plastika dhe mbetjet inerte kanë zënë basenin e përroit të Arbanës dhe lumit Erzen i cili para se të dërgoj mbetjet në det vadit edhe tokat e fshatarëve të zonës. Për kamerën e Report Tv ata shprehen se ky ujë po rrezikon bimësin, ndërsa ende institucionet nuk japin një datë kur do të nisë pastrimi lumenjve.
Me dhjetëra policë dhe vetë ministri i brendshëm Sandër Lleshaj një ditë më parë zbarkuan në burimin e lumit Erzen, atje ku në dalje të fshatit Pajetë, merr jetë rrjedha e këtij lumi, uji i të cilit është i pijshëm, por më pas përfundon në Adriatik i ndotur.
Ndërsa në pak minuta në periferi të kryeqytetit rrëzë Arbanës, kamera e ReportTv u ndal në basenin e përroit, i cili para se të bashkohet me Erzenin, çon në të, edhe mbetje spitalore si shiringa e shishe ilacesh. Nuk mungojnë as mbetjet plastike apo inerte në basenin e këtij përroi si dhe në këmbët e kësaj ure.
Por kush i ka hedhur, nga kanë ardhur këto mbetje, sa të rrezikshme janë, përse nuk është parandaluar hedhja e tyre, janë pyetjet të cilat institucionet duhet t’i japin një përgjigje dhe Report Tv do e ndjek këtë situatë në vijim.
Pak metra më tutje, në urën e Damian, situata është thuajse e njëjtë… mbetje plastike, inerte dhe deri në kolltuk të nxjerrë jashtë përdorimit e goma makinash ndodhen në lum.
Po ku përfundojnë këto mbetje? Teksa rrjedha futet në fshatin Ndroq situata bëhet edhe më kritike. Sipas banorëve të zonës, këto mbetje të rrezikshme prishin edhe produktet bujqësore të cilat njomen me këtë ujë.
“Në asnjë mënyrë nuk vadisim tokën, vetëm ata që kanë afër, kanali kryesor që përdorej për vaditje është prishur. Ka qenë me pllaka, sipas njerëzve kanë marrë tokat e veta. Pa dyshim që pisllëku dëmtohen toka, ka shumë mbetje spitalore dhe vijnë deri te tokat tona”, tregon një nga banorët e zonës.
Ndërsa e rrezikuar mbetet edhe diga e vetme e Erzenit e cila e mbushur plot me inerte e mbetje plastike në këmbët e saj, herë pas herë bënë që lumi të dal nga shtrati dhe të marr me vete tokat bujqësore dhe të mbjellat.
Prej ditësh kamera e Report TV ka ndjekur basenet e ndotura të lumit Tirana, lumit Ishëm dhe sot Erzenit, por ende institucionet nuk kanë një datë se kur do të nisë pastrimi, përse ende nuk ndërhyhet, qoftë për të hequr masivin e pirgjeve të plastikës që përfundon në det ndërkohë që shteti planifikon operacionin se kur dhe nga ku të nisë nga puna.
Shqiptarja.com